Ndaj influencuesit Andrew Tate janë ngritur akuza të tjera nga prokurorët rumunë, mes tyre për trafikim të të miturve, pastrim parash dhe aktivitet seksual me të mitur.
Të lidhura
None found
Në këtë çështje është përfshirë edhe vëllai i tij, Tristan Tate, i cili përballet me akuzën se ka bashkëpunuar në trafikimin e të miturve.
Agjencia rumune kundër krimit të organizuar, DIICOT, e ka shtrirë më tej hetimin pasi Gjykata e Apelit të Bukureshtit, në dhjetor 2024, ua riktheu dosjen prokurorëve për të rishikuar një pjesë të procedurave hetimore.
Një tjetër pistë që po shqyrtohet nga autoritetet rumune lidhet me dyshimet se vëllezërit Tate kanë pastruar rreth 3 milionë euro përmes dy kompanive gjatë viteve 2018-2022. Paratë dyshohet se janë siguruar nga trafikimi i qenieve njerëzore.
Andrew dhe Tristan Tate i kundërshtojnë të gjitha akuzat, ndërsa çështjet e hapura ndaj tyre i konsiderojnë të pabazuara dhe të nxitura politikisht.
Aktualisht, të dy vëllezërit gjenden në Shtetet e Bashkuara dhe po tentojnë të shmangin ekstradimin drejt Mbretërisë së Bashkuar. Atje ata përballen me rreth 60 akuza, ku përfshihen përdhunimi, trafikimi i qenieve njerëzore dhe shfrytëzimi seksual.
Procedurat në Rumani vazhdojnë që prej arrestimit të tyre në dhjetor 2022, ndërsa çështja gjyqësore ka përparuar me ritme të ngadalta.
