KPK i propozon Kuvendit rritjen e pagave të administratës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka depozituar në Kuvend propozimin për rritjen e pagës së tyre.

Në propozimin e nënshkruar nga kryetari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Roland Ilia, sipas dokumentit të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit, vihet re se është kërkuar rritja e pagës për 6 pozicione.

Sipas propozimit, paga e sekretarit të përgjithshëm propozohet të rritet nga 150 000 lekë në muaj, në 235 000 lekë në muaj.

Për pozicionin “Drejtor”, propozimi është që paga të rritet nga 107 000 lekë në muaj në 180 000 lekë në muaj.

Për “përkthyes” propozohet rritja nga 107 000 në 155 000, teksa për Koordinator për median dhe marrëdhëniet me jashtë propozohet thuajse dyfishimi i pagës nga 86 500, në 155 000 lekë në muaj.

Për pozicionin “specialist” rritja e propozuar është nga 65 200 lekë në muaj në 80 000 lekë në muaj.

Dhe së fundmi propozohet që edhe paga e Këshilltarit pranë Mbledhjes së Komisionerëve dhe Kryetarit të dyfishohet nga 73 500 në 155 000 lekë në muaj.

Në propozimin drejtuar Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, sqarohet se ky ndryshim nuk sjell asnjë ndryshim në numrin e përgjithshëm të punonjësve të përhershëm të KPK, prej 76 vetësh.

Sipas dokumentit, efekti financiar i ndryshimeve të propozuara pritet të jetë 2 418 000 lekë./Ora news


Shtuar 10.04.2024 16:51