Berisha i drejtohet Veliajt: Mos guxo të futesh nesër në bashki, jep dorëheqje dhe largohu

Nga dritarja e banesës ku qëndron i izoluar që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, teksa iu drejtua mbështetësve të tij të mbledhur si çdo mbrëmje, ish-kryeministri Sali Berisha komentoi votimin e sotëm të Kuvendit të rezolutës anti-korrupsion të propozuar nga qeveria.

PJESË NGA FJALIMI I BERISHËS

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju misionarëve të vërtetë të kauzës së drejtë të shqiptarëve.

Të dashur miq, nesër është një ditë e një rëndësie të jashtëzakonshme në historinë e demokracisë, e përpjekjes për rivendosjen e demokracisë në Shqipëri.

Për goditjen e armikut më të egër në historinë e shqiptarëve, kryehajdutit të Shqipërisë, Edi Rama dhe bashkëpunëtorit të tij, Erion Veliaj.

Të dashur miq, sot gjithë ditën hajdutët më të mëdhenj që ka pasur Shqipëria dhe kombi përdhosën parlamentin me betimin e tyre të rremë se nuk do të vjedhin më.

Edi Rama dhe hajdutët e tij ministra sot menduan se me një rezolutë gjethe fiku do mashtrojnë shqiptarët dhe BE-në se ata hoqën dorë nga vjedhja e qytetarëve shqiptarë.

E vërteta është se në doktrinën e vjedhjes ka një ligj: hajduti sa më shumë ka vjedhur, aq më shumë kërkon të vjedhë.

Ai nuk ngopet kurrë!

Edi Rama, siç e dini, u bë kryeministër i denoncuar nga OSBE në raport se ka vjedhur dhe fshehur në bankat offshore 200 milionë euro.

Miqtë e mi, u garantoj se këto 10 vite, së paku janë shumëfishuar disa herë këto 200 milionë.

Edi Rama vetëm me djegësin e Tiranës, të Elbasanit dhe të Fierit ka vjedhur së paku gjer tani 200 milionë euro bashkë me Erion Veliajn të Tiranës.

Edi Rama me firmën e tij po grabit 1 milion e 400 mijë metër katrorë tokë truall publik në qytetin e Durrësit, në të cilin ai me Alabarin e tij merr përsipër të ndërtojë Dubai City-n dhe të bëhet vetë miliarder.

Edi Rama është kryeministri i vetëm në Europë dhe në botë, i cili do firmosë për çdo banesë dykatëshe dhe për çdo kullë 60-katëshe që ndërtohet në Shqipëri.

Te kullat e ka shpirtin se aty rëndom thonë se tani merr 30 përqind në xhep.

Edi Rama me firmën e tij u dha investitorëve strategjikë rreth 6 milionë metër katrorë tokë për resorte në të cilat vetë është aksionar së paku me 30 përqind.

Edi Rama është njeriu që me një shpejtësi të rrufeshme ndërtoi sistemin më të tmerrshëm të vjedhjes që kanë njohur shqiptarët.

Enturazhi, rrethi i tij familjar ndjek me lakmi si grabitqarë rrugën e tij.

I vëllai merr me firmë të tij 37 mijë metër katrorë tokë publike dhe private për biznesin e tij.

Thjeshtra fiton kompania ku punon dhjetëra e dhjetëra tendera dhe nuk deklaron siç do ligji asnjë qindarkë të saj. Sepse thotë ajo nuk është e familjes, paçka se ligji në mënyrë të prerë e njeh atë si anëtare të familjes, Edi Ramës dhe Linda Ramës.

Po kështu baxhanaku qindra tendera.

Atëherë miqtë e mi, kur të gjithë shohin se kryeministri natën dhe ditën, të dielën dhe të hënën dhe çdo ditë jave, çdo ditë feste dhe çdo ditë pushimi, vjedh, vjedh dhe vetëm vjedh, të gjithë e ndjekin mbrapa.

Erion Veliaj, mos guxo të futesh nesër në bashki.

Mos provoko qytetarët.

Jep dorëheqje dhe largohu.

Se hajdut si ti nuk ka njohur…

Thuaju pak qytetarëve të Tiranës pse duhej t’ia kaloje ndërmarrjen publike të mbetjeve privatit?

Si mundet t’i jepje asaj, 3R-së dhe kushëririt të Redi Mollës tokë për landfill pa vendim të Këshillit Bashkiak?

Kur ua dhe këtyre, Erion pse nuk e bëre me tender, por ua dhe nën dorë?

Hajdut si ti nuk ka parë toka.

Po marrëveshjen me Miloranzin e Veronës apo u bëre më këtë rast anëtar i Ndraghetës?

Eko-Tiranën ia shite kompanisë së inceneratorit. Mashtrove publikisht se ka vendosur Këshilli për të financuar inceneratorin, në një kohë kur Këshilli nuk ishte mbledhur kurrë.

E kujt është ndërmarrja o hajdut që merr përsipër dhe paguan edhe paratë e Rakip Sulit?

Heq fondin e arsimit dhe paguan 6 milionë euro për Bashkinë e Kamzës?

Është e jotja, ndryshe nuk do e bëje kurrë një akt të tillë.

Po për ty nuk ka ligj, ti i ke futur në thes me Zaman, me Krajë e të gjithë me radhë.

Po 8 pikët që i dhe kompanisë tënde me Edi Ramën, pa u themeluar akoma?

Në fund të fundit, ti je pronari i inceneratorit që gllabëroi 135 milionë euro gjer sot dhe nuk ekziston gjurmë, nam apo nishan se i vodhe ti me Edi Ramën.

Erion Veliaj, në dhjetëra e dhjetëra tendera vodhe 100 përqind shumën e prokurimeve me kompaninë tënde 5D. Paratë e vjedhura i shndërrove në hotele luksoze me 5 yje, në Durrës, Himarë, Dhërmi.

Në pallate 10-katëshe në Tiranë. I fshehe në kontot bankare. Po paratë e pyllit vertikal me 1 milion pemë, ku i ke?

Miqtë e mi, shpresa e vetme jeni ju.

Ose të shkulim nga rrënjët këtë racë hajdutësh ose Shqipëria nuk ka të ardhme.

Ndaj dhe nesër, me armën e fuqishme të zemërimit popullor, me mosbindjen civile, të gjithë në betejë, të gjithë në sulm.

Të gjithë për fitoren. Rrofshi ju. Rroftë Tirana. Rroftë Shqipëria. Fitore, fitore, fitore!


Shtuar 27.05.2024 20:53