Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka postuar në rrjetin e tij social Truth Social një seri videosh jo të zakonshme, përfshirë një të gjeneruar me inteligjencë artificiale, në të cilën ai shihet duke ndjekur dhe luftuar me një tigër, para se ta përqafojë kafshën e egër në fund.
Këto publikime u shfaqën të martën në mbrëmje, vetëm pak orë pasi Trump kishte shpërndarë pamje reale nga një sulm vdekjeprurës i një tigri ndaj një burri që kishte hyrë në kafazin e kafshës në një park natyror në veri të Anglisë.
Të lidhura
None found
Në materialin e prodhuar me inteligjencë artificiale, Trump duket fillimisht duke i bërë presion dhe duke e ndjekur tigrin, e më pas përleshet me të. Skena përmbyllet me të dy duke u përqafuar, shoqëruar nga melodia e famshme “The Lion Sleeps Tonight”.
Menjëherë pas kësaj, presidenti amerikan publikoi edhe një tjetër video, ku paraqitet si luan që u bën ballë hienave. Zëri narrativ e cilëson Trump-in si “mbretin e xhunglës”, teksa pamjet përziejnë fjalimet e tij me imazhe të figurave demokrate, ndër ta ish-presidenti Barack Obama, ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom.
Në këtë video, kundërshtarët politikë të Trump krahasohen me “çakej dhe hiena” që e sulmojnë dhe e përqeshin. Në fund, narrator thekson se “herë pas here, luani duhet t’u tregojë çakejve se kush është në të vërtetë”.
Para videove të gjeneruara me inteligjencë artificiale, Trump kishte ndarë pamjet e incidentit të ndodhur më 10 tetor në Parkun e Jetës së Egër të Yorkshire, afër Doncaster-it në Angli. Një burrë kishte hyrë në zonën e rrethuar të tigrit dhe ishte sulmuar për vdekje nga kafsha.
Presidenti amerikan e shoqëroi atë video me fjalët: “Mos u ngatërroni kurrë me natyrën! Presidenti DJT”. Më vonë, ai postoi edhe një kolazh me pamje nga sulme të kafshëve të egra ndaj njerëzve, disa prej të cilave dyshohet se ishin krijuar me inteligjencë artificiale.
Sipas Forbes, postimet u bënë ndërsa Trump gjendej në Alaska, ku kishte marrë pjesë në një tubim politik në Wasilla, rreth 65 kilometra në veri të Anchorage.
Shpërndarja e këtyre pamjeve shkaktoi reagime, pasi ato lidhen me një ngjarje reale me pasoja fatale. Policia e South Yorkshire u kishte bërë thirrje qytetarëve të mos shpërndanin videot e sulmit që po qarkullonin online, duke kërkuar respekt për viktimën dhe familjen e tij.







