Protesta e studentëve dhe përshkallëzimi i saj gjatë ditëve të fundit u diskutuan në emisionin “Ftesë në 5”, me moderatore Bieta Sulon. Gjatë protestës, studentët u kanë vënë flakën institucioneve shtetërore dhe jo vetëm.
E ftuar përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë nga Franca, aktivistja dhe juristja Alba Bajraktari deklaroi se askush që arsyeton nuk mund ta konsiderojë dhunën të pranueshme. Sipas saj, situata duhet parë në kontekstin e saj të plotë dhe përgjegjësia nuk mund t’u faturohet vetëm qytetarëve apo të rinjve shqiptarë.
Të lidhura
None found
“Është e frikshme për këdo, por duhet parë se në çfarë konteksti po ndodh, kur u realizua kjo dhe cila është tabloja e madhe. Duhet kuptuar edhe kush mban përgjegjësi. Nuk mund t’u drejtojmë gishtin qytetarëve shqiptarë dhe rinisë shqiptare, pa kuptuar se çfarë po bëjnë pushtetarët për ta stabilizuar situatën”, tha Bajraktari.
Në studio ishte edhe aktivisti politik rinor Antonio Lushi, i cili i cilësoi shqetësuese pamjet e shpërndara gjerësisht nga protesta. Ai theksoi se, krahas njohjes së të drejtës për protestë, duhet të gjendet një rrugë dialogu dhe të përdoren të gjithë mekanizmat e mundshëm për shmangien e përshkallëzimit.
“Shqetësimet ekzistojnë dhe, në një shoqëri demokratike, protestat janë të nevojshme. Rinia po tregon se nuk pranon më, por duhet të arrihet një dialog më i mirë. Pamjet janë shqetësuese, ndërsa dhuna vjen nga të dyja palët dhe ajo që vjen nga uniforma është edhe më shqetësuese. Gjakrat duhet të ftohen, pasi palët janë në një përballje ballë për ballë”, u shpreh Lushi.
Ai kërkoi që të rinjtë, të cilët ndodhen në një moshë delikate, të jenë të kujdesshëm ndaj dezinformimit. Lushi nënvizoi se jo të gjithë të rinjtë janë në shesh, pasi disa nuk kanë mundësi të marrin pjesë, ndërsa të tjerë janë kundër protestës.
“Dhuna nuk është zgjidhje dhe nuk duhet të jetë ajo që shohim në protesta. Mund të merret shembull nga Franca, por një model duhet përshtatur dhe jo kopjuar si shabllon. Që nga ’97 e dimë se çfarë shkatërrimi dhe dëmi sjell dhuna. Nëse kërkesat e të rinjve nuk pranohen, dialogu duhet të zhvillohet”, tha aktivisti.
Këshilltari rinor në Parlamentin Europian, Jonas Kepi, e nisi ndërhyrjen e tij duke sjellë në vëmendje shprehjen se njerëzit nuk duhet të kenë frikë nga qeveria, por qeveria duhet të ketë frikë nga njerëzit.
“Dhuna e djeshme nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë. Për një shtet si Shqipëria, që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, kjo nuk është e pranueshme. Protesta duket se po shkon në një drejtim tjetër, ndaj shteti duhet t’i dëgjojë të rinjtë. Qeveria duhet të ofrojë bashkëpunim dhe jo premtime false”, deklaroi Kepi.
Sipas tij, të rinjtë kanë të drejtë të rebelohen, pasi përfaqësojnë të ardhmen e kombit. Ai sqaroi se thirrja për dialog duhet t’i drejtohet qeverisë dhe jo të rinjve, ndërsa theksoi se një përballje e tillë nuk fitohet nga një apo dy parti, por kërkon solidaritetin e të gjithëve.
Kepi tha se emocionet e të rinjve janë reale dhe përmendi protestat në Francë e Singapore, ku sipas tij situata ka qenë edhe më e rëndë. Ai shtoi se ka marrë pjesë në protestë pa gjuajtur me gurë dhe kërkoi që bizneset private të mos preken, pasi përplasja e tyre është me qeverinë.
Aktivistja Suela Koçibellinj tha se i dhemb fakti që të rinjtë janë lënë pas dore dhe se politikat për mbështetjen e tyre kanë qenë të pamjaftueshme. Ajo e krahasoi sjelljen e protestuesve me atë të një fëmije që, pasi nuk dëgjohet, ngre zërin, qan dhe më pas godet.
“Rinia ka dalë prej disa ditësh në shesh, por nuk ka pasur reagim. Të rinjtë janë aty sepse duan ndryshimin dhe thonë se po protestojnë pasi nuk duan të emigrojnë. Kjo është një thirrje e fortë. Duhet t’i mbajmë pranë dhe t’i mbështesim. Policia duhet të sillet në mënyrë më profesionale, pasi detyra e saj është mbrojtja e rendit publik”, tha Koçibellinj.
Ajo kujtoi se në vitin ’97 ishte 15 vjeçe dhe rrëfeu se pamjet e sotme i shkaktojnë aritmi. Sipas saj, prania e personave të ’97-s pranë të rinjve rrezikon të keqpërdorë protestën. Koçibellinj theksoi se të rinjtë kanë të drejtë të kërkojnë ndryshim, por jo të shkatërrojnë vendin.
“Të rinjtë po përballen me heshtje dhe kjo është e vërtetë. Nuk dua që kryeministri apo ministrat të qëndrojnë të heshtur, por të marrin përgjegjësi. Secili prej tyre ka një pakënaqësi të akumuluar, e cila ka bërë që kupa të mbushet. Jam pjesë e protestave, por kam frikë nga dhuna, sepse ajo mund t’i rrezikojë të rinjtë. Pse nuk ka reagim nga qeveria? Prindërit e tyre i kanë votuar”, u shpreh aktivistja.
Në emision pati edhe një lidhje të drejtpërdrejtë nga protesta, ku një studente deklaroi se dialogu nuk është më një alternativë për ta. Ajo tha se të rinjtë kanë vetëm një kërkesë: dorëheqjen.







