Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar për përplasjet e ndodhura gjatë protestës në Tiranë, duke denoncuar përdorimin e dhunës nga punonjës të Policisë së Shtetit ndaj deputetëve të opozitës.
Sipas Bardhit, ky veprim përbën shkelje të rëndë ligjore dhe dëmton funksionimin e institucioneve demokratike. Ai ka nënvizuar se deputetët, në bazë të detyrës së tyre, kanë të drejtë të ushtrojnë kontroll parlamentar dhe të mbikëqyrin veprimtarinë e institucioneve shtetërore.
Të lidhura
None found
“Pas dhunës kriminale ndaj të rinjve dhe të rejave që protestojnë, tani radha u erdhi deputetëve të opozitës.
Dhuna e përdorur nga punonjës të Policisë së Shtetit ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë është një akt banditesk, i padenjë për persona që mbajnë uniformën e shtetit. Çdo efektiv që ushtron dhunë ndaj një deputeti gjatë kryerjes së detyrës shkel rëndë ligjin dhe cenon funksionimin e institucioneve demokratike.
Statusi i deputetit dhe kompetencat e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi u japin atyre të drejtën të ushtrojnë kontroll parlamentar, të verifikojnë respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si edhe të mbikëqyrin veprimtarinë e institucioneve shtetërore, në përputhje me ligjin. Deputetët kanë të drejtë të hyjnë në çdo institucion shtetëror.
Uniforma e policisë nuk mund të përdoret si mburojë për paligjshmërinë dhe as si arsye për të justifikuar dhunën. Kjo nuk është Policia e Shtetit, por Policia e Pushtetit të korruptuar dhe kriminalizuar të Edi Ramës”, ka deklaruar Bardhi.






