Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë hapësirën pyjore pranë fshatit Miletinë, në komunën e Bërvenicës, duke krijuar rrezik që flakët të përhapen drejt vendbanimit.
Të lidhura
None found
Për përballimin e situatës, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka vënë në dispozicion dy avionë “Er Tractor”, të cilët janë nisur drejt zonës së përfshirë nga zjarri.
Forcat zjarrfikëse nga Tetova ndodhen në terren, por puna e tyre po pengohet nga terreni i vështirë dhe i rrezikshëm për ndërhyrje. Situata po rëndohet edhe më shumë nga erërat e forta.
Drejtori i DMSH-së, Stojançe Angellov, tha se ka urdhëruar ngritjen e dy avionëve në drejtim të Miletinës. Sipas tij, ndërhyrja ajrore synon të krijojë mundësi që zjarrfikësit të hyjnë në zonën pyjore dhe të luftojnë flakët.
“Kemi një zjarr të madh pranë fshatit Miletinë, i cili e kërcënon vendbanimin”, deklaroi Angellov në një video-mesazh.
Angellov foli gjithashtu për situatën në lokalitetin Ramno, në Malin e Zi të Shkupit, ku zjarri vijon prej dy ditësh. Banorët në disa zona të Shkupit po ndjejnë erën e tymit, ndërsa era e fortë po e vështirëson ndjeshëm shuarjen e zjarrit.
