VMRO rikthehet kundër gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, reagim i fortë i VLEN: Gjykata Kushtetuese të mos hapë…

Koalicioni VLEN i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut që të mos e hapë “kutinë e Pandorës.”

Sipas koalicionit iniciativa për shqyrtimin e Ligjit të Gjuhëve nga Gjykata Kushtetuese është një përpjekje për grusht shteti.

“Trupi Koordinues i VLEN-it, pa dëshirën për të ndërhyrë në kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, e konsideron të rrezikshme dhe të papranueshme kërkesën e tyre për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ne besojmë se kjo iniciativë, e cila buron nga forca të njohura për qëndrimet e tyre kundër NATO-s, është një përpjekje për grusht shteti përmes eksperimenteve juridike. Nëse kjo iniciativë pranohet, mund të çojë në një krizë të rëndësishme për arritjet kyçe të shtetit, duke përfshirë ndryshimin e emrit kushtetues, i cili u realizua pa firmën e presidentit të atëhershëm, Gjorge Ivanov, dhe që mundësoi anëtarësimin në NATO. Një akt i tillë do të rrezikonte stabilitetin dhe sovranitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërcënuar seriozisht orientimin e saj euro-atlantik,” thuhet në njoftimin e VLEN pas mbledhjes së Trupit Koordinues.

Në këtë takim është diskutuar edhe për interpelancën nga kreu i Kuvendit Afrim Gashi, duke e cilësuar këtë iniciativë si përpjekje për destabilizim.


Shtuar 1.09.2024 16:30