Pas përfundimit të procesit zgjedhor në Bërvenicë, koalicioni VLEN reagoi zyrtarisht, duke vlerësuar se votimi ishte i lirë dhe demokratik dhe se u zhvillua pa incidente apo shkelje të rregullave zgjedhore.
Sipas VLEN-it, në një demokraci vullneti i qytetarëve duhet të ketë përparësi ndaj çdo interesi tjetër, ndërsa në nivel lokal ai duhet të mbetet jopartiak. Koalicioni thekson se asnjë forcë politike nuk mund t’i kontrollojë votat ose t’i konsiderojë ato pronë të saj, pasi qytetarët vendosin lirisht se kujt t’ia japin mbështetjen. Ky parim demokratik, sipas tij, duhet respektuar nga të gjithë.
Të lidhura
None found
VLEN vlerëson gjithashtu se zgjedhjet në këtë komunë treguan se vendi ka ende shumë punë për të bërë për të ndërtuar një model qytetar gjithëpërfshirës. Sipas koalicionit, një model i tillë nuk mund të arrihet përmes thirrjeve për votim mbi baza etnike së bashku me LSDM-në dhe Levicën. VLEN shprehet se shqiptarët nuk janë aty ku është Levica dhe se, në shoqëritë me diversitet etnik, çdo veprim sjell një kundërveprim. Koalicioni paralajmëron se kjo qasje mund të ushqejë një rreth të mbyllur retorike nxitëse e polarizuese, të thellojë ndarjet etnike dhe, në vend të përparimit, të sjellë regres.








