Sipas VLEN-it, transporti ajror në Maqedoninë e Veriut po ecën përpara në mënyrë të qëndrueshme falë investimeve në siguri, teknologji dhe shtimit të lidhjeve me destinacione të reja.
Të lidhura
None found
Nga partia në pushtet theksohet se përfaqësuesit e VLEN-it në institucione po tregojnë se standardet që deri dje konsideroheshin të paarritshme mund të realizohen me angazhim dhe punë të vazhdueshme.
Në njoftimin e partisë thuhet se, në kuadër të këtij zhvillimi, zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli, mori pjesë në lëshimin në përdorim të sistemit të ri tomografik për kontrollin e sigurisë së bagazhit të dorës. Sipas tyre, investimi prej 1 milion eurosh e rendit Maqedoninë e Veriut mes vendeve që aplikojnë teknologjitë më të avancuara në këtë sektor, ndërsa bëhet fjalë për sistemin e parë të këtij lloji në Ballkan.
VLEN nënvizon se zhvillimi nuk kufizohet vetëm te modernizimi teknologjik. Gjatë dy viteve të fundit janë hapur 28 destinacione të reja ajrore, ndërsa për këtë vit parashikohet që numri i udhëtarëve të kalojë 3,5 milionë. Sipas partisë, këto shifra tregojnë se politikat e reja po e konsolidojnë pozitën e vendit si një qendër gjithnjë e më e rëndësishme e transportit ajror në rajon.
Në përfundim të reagimit, partia vlerëson se qeverisja duhet të matet me rezultate dhe jo me retorikë. Ajo shton se çdo investim që rrit sigurinë, përmirëson shërbimet dhe zgjeron mundësitë për qytetarët është pjesë e vizionit për një Maqedoni të Veriut moderne, të zhvilluar dhe më të lidhur me Evropën dhe botën.

