VLEN drejt finalizimit të marrëveshjes për zëvendësministrat, emrat priten deri në fund të tetorit?!

Koalicioni VLEN është në fazën përfundimtare të konsultimeve me partnerët e shumicës qeverisëse për ndarjen e posteve në nivelin e dytë të ekzekutivit. Në qendër të diskutimeve janë vendet vakante, ndërsa zyrtarizimi i të gjitha emërimeve të reja pritet të bëhet deri në fund të këtij muaji, përcjell INA.

Të lidhura

None found

Sipas burimeve brenda koalicionit, partnerët e shumicës parlamentare vijojnë të shqyrtojnë emrat e kandidatëve të mundshëm. Megjithatë, sinjalet e deritanishme tregojnë se kabineti nuk do të pësojë ndryshime të mëdha strukturore, përveç dy emërimeve të reja në dikastere të rëndësishme.

Riorganizimi i paralajmëruar lidhet me ndryshimet e mëparshme në kabinetin qeveritar. Në këtë kuadër, VLEN synon të ruajë balancën politike brenda koalicionit duke marrë dy poste të zëvendësministrave, përkatësisht në Shëndetësi dhe në Politikë Sociale.

Ky ndryshim pritet të realizohet përmes një rokade, pa prekur peshën e përgjithshme politike të forcave në qeveri. VLEN do të heqë dorë nga posti i zëvendësministrit në Bujqësi, i cili pritet t’i kalojë VMRO-DPMNE-së, si edhe nga posti i zëvendësministrit në Kulturë. Ky i fundit mund t’i takojë VMRO-DPMNE-së ose lëvizjes ZNAM, pasi ministri përgjegjës është nga radhët e VLEN-it.

Ndërkohë, në mënyrë jozyrtare, VLEN po diskuton mundësinë e marrjes së një pozite edhe në Energjetikë dhe Transformim Digjital.

Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar më herët se përbërja e plotë e eshallonit të dytë dhe emrat përkatës do të zyrtarizohen gjatë pjesës së dytë të muajit tetor./INA/


Shtuar më 12.10.2026 12:24