Ngrohja qendrore në Shkup mund të nisë nga nesër

Banorët e Shkupit mund të kenë qasje në ngrohjen qendrore që nga dita e nesërme, përmes sistemeve të administruara nga SHA EMV, përkatësisht nga “EMV Heat Supply DOOEL” Shkup dhe dega Energjetika.

Të lidhura

None found

Edhe pse sezoni i ngrohjes nis zyrtarisht më 15 tetor, rregullorja lejon aktivizimin e tij më herët, nga 1 deri më 15 tetor. Kjo mund të ndodhë nëse parashikimi për temperaturën mesatare të jashtme të ditës së ardhshme është 12 gradë Celsius ose më i ulët.

SHA EMV bëri të ditur se, sipas të dhënave të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), më 13 tetor pritet temperaturë mesatare e jashtme prej 12 °C. Ky nivel i plotëson kriteret për prodhimin, transmetimin dhe furnizimin me energji termike, në përputhje me vendimin e KRRE-së.

Nga EMV njoftojnë gjithashtu se deri më 15 tetor, në uebfaqen e EMV Supply do të publikohet çdo ditë informacioni nëse janë plotësuar kushtet për furnizimin me energji ngrohëse gjatë ditës pasuese.

Sipas rregullave në fuqi, gjatë tetorit dhe gjysmës së parë të nëntorit, kur kushtet atmosferike ndryshojnë shpesh, intensiteti i furnizimit përcaktohet nga temperaturat e ajrit në periudha të ndryshme të ditës. Kur temperaturat bien, shpërndarja e energjisë termike shtohet, ndërsa me rritjen e tyre ajo ulet./Telegrafi/


Shtuar më 12.10.2026 12:21