Jovica Ilievski, kryetari i Komunës së Bërvenicës, ka ndërruar jetë dje. Pas kësaj humbjeje, legjislacioni në Maqedoninë e Veriut përcakton qartë procedurat administrative që duhet të ndiqen, në mënyrë që funksionimi i institucioneve të mos pengohet.
Sapo të përfundojnë ditët e zisë, Këshilli i Komunës së Bërvenicës pritet të thërrasë një mbledhje të jashtëzakonshme. Në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, këshilltarët komunalë duhet të zgjedhin me shumicë votash njërin prej anëtarëve të Këshillit, i cili do ta ushtrojë përkohësisht funksionin e kryetarit të komunës.
Të lidhura
None found
Detyra e këtij ushtruesi detyre do të jetë drejtimi i përkohshëm i komunës, me qëllim që shërbimet për qytetarët, pagesat e administratës dhe projektet në terren të vijojnë pa ndërprerje.
Në të njëjtën kohë, do të nisë edhe procedura për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Duke qenë se mandati i kryetarit të ndjerë është ndërprerë në një periudhë kur ligji kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të reja, pas njoftimit zyrtar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe Qeveria, Kryetari i Kuvendit duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme lokale vetëm për Komunën e Bërvenicës.
Këto zgjedhje do të organizohen nga KSHZ-ja, ndërsa qytetarët e Bërvenicës do të zgjedhin kryetarin e ri, i cili do të marrë një mandat legjitim për ta udhëhequr komunën.
