LSDM deklaroi sot se Qeveria e Hristijan Mickoskit po përballet me një tjetër skandal të rëndë.
Sipas kësaj partie, dokumentet e publikuara nga mediat në Bullgari tregojnë se Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev, i cilësuar si bashkëpunëtori më i afërt i Mickoskit, lidhet me kompaninë “FLUGBAN TRANS” DOO, me seli në Kyustendil, Bullgari.
Të lidhura
None found
Në informacionet që përmenden, kompania rezulton të merret me transportin rrugor të mallrave, ndërsa në strukturën e pronësisë dhe menaxhimit, sipas LSDM-së, përfshihen persona të afërt me rrethin e Mickoskit dhe OBRM-PDUKM-në.
LSDM thekson se problemi kryesor qëndron te fakti se në pyetësorët e dorëzuar në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit nuk ka të dhëna të disponueshme publikisht që Janushev të ketë deklaruar lidhje me një kompani në Bullgari.
Për këtë arsye, sipas tyre, rasti kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet.
Partia kërkon që KSHPK, Prokuroria Publike dhe të gjitha institucionet kompetente të nisin menjëherë procedurë, të verifikojnë çdo fakt dhe të përcaktojnë nëse ekziston pronë, kapital apo interes biznesi i padeklaruar jashtë vendit dhe pse.
Sipas LSDM-së, publiku meriton përgjigje për këtë pyetje të thjeshtë.
Më tej, nga kjo parti vlerësojnë se rasti nxjerr në pah, siç thonë ata, gjithë hipokrizinë e Mickoskit dhe OBRM-PDUKM-së, si edhe narrativën e tyre të rreme.
Siç shprehen nga LSDM, ndërsa qytetarëve u thuhet se identiteti i tyre është i rrezikuar, vetë ata kanë pasaporta bullgare dhe janë shtetas bullgarë që zhvillojnë biznes përmes kompanive bullgare.
Sipas LSDM-së, ata realizojnë interesa biznesi në Bullgari, nuk përballen me pritje shumëorëshe në kufi dhe, në të njëjtën kohë, po pengojnë integrimin evropian të Maqedonisë, si edhe po bllokojnë mjetet nga BE-ja përmes fondeve./Telegrafi/
