Në Pikën Kufitare Tabanoc, ku së bashku me homologun serb Ivica Daçiq promovoi fushatën “Vozitë i Qetë”, ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski njoftoi se në sistemin “Safe City” do të përfshihen edhe shoferët e huaj që kalojnë tranzit nëpër Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, qëllimi është respektimi i rregullave të trafikut dhe shpëtimi i jetëve njerëzore.
Të lidhura
None found
Ai u bëri thirrje të gjithë udhëtarëve që lëvizin nëpër korridoret 8 dhe 10 në Maqedoni të kenë kujdes, duke theksuar se kamerat e “Safe City” janë aktive, funksionojnë dhe regjistrojnë shkeljet në trafik.
Toshkovski theksoi se, krahas qytetarëve të vendit, shumë shpejt edhe personat që kalojnë tranzit nëpër vend do të ndëshkohen për mosrespektim të rregullave të komunikacionit. Për këtë arsye, ai apeloi që të gjithë ata që udhëtojnë t’u binden rregullave, duke nënvizuar se çdo jetë e shpëtuar është një gjest i madh.
Ministri kërkoi përgjegjësi nga të gjithë drejtuesit që kalojnë nëpër korridoret 8 dhe 10, pasi, siç tha ai, sistemi “qytet i sigurt” tashmë është në funksion dhe do të vlejë për secilin, pavarësisht nëse automjeti ka targa maqedonase apo të huaja.
Toshkovski deklaroi se së shpejti do të shihet zbatimi i plotë i fazës së dytë, e cila lidhet me shqiptimin e gjobave për drejtuesit e automjeteve me regjistrim të huaj, dhe se kjo do të ndodhë pikërisht në këtë pikë kufitare. Ai u bëri thirrje qytetarëve që drejtojnë automjete me targa të huaja të informohen se shkeljet po evidentohen dhe se gjobat do t’u dorëzohen sa më shpejt atyre që nuk i respektojnë rregullat.

