Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) bën të ditur se në ditët në vijim, sistemi “Safe City” do të hyjë në funksion fillimisht në pikëkalimin kufitar Tabanoc, e më pas edhe në pikat e tjera kufitare, megjithëse ende nuk është fiksuar një datë konkrete për fillimin e plotë.
Të lidhura
None found
MPB njofton se, brenda pak ditësh, në Tabanoc do të jetë aktiv ky sistem, i cili do të sinjalizojë të gjithë drejtuesit e automjeteve me targa të huaja që janë evidentuar nga autoritetet për kryerjen e një kundërvajtjeje apo vepre penale në territorin e Maqedonisë së Veriut. Këtyre personave do t’u komunikohet shkelja, do t’u dorëzohet një raport për shkelje të rregullave rrugore së bashku me një urdhërpagesë kundërvajtëse dhe më pas do t’u jepet mundësia të paguajnë gjobën ose rasti të dërgohet në gjykatën përkatëse përmes një procedure të përshpejtuar. Ky mekanizëm do të zgjerohet shpejt në të gjitha pikat kufitare.
Ndërkohë që pretendohet të qartësohet mënyra konkrete e zbatimit të urdhërpagesave apo proceseve gjyqësore, pengesa e vetme reale për shtetasit e huaj në rrugë mbeten patrullat e policisë rrugore, të njohura si interceptorë. MPB thekson se këto forca janë vazhdimisht prezente përgjatë arterieve kryesore të tranzitit, konkretisht në korridoret 8 dhe 10, por duke marrë parasysh fluksin e lartë të qarkullimit gjatë stinës së verës, kapja e të gjitha shkeljeve është fizikisht e pamundur. Pikërisht për këtë arsye u aktivizua sistemi “Safe City”.
