Një rrugë e shpejtë është planifikuar të lidhë Radovishin me kufirin e Bullgarisë, duke kaluar nëpër Strumicë dhe Novo Sellë.
Të lidhura
None found
Ministri i Transportit, Aleksandër Nikollovski, bëri të ditur se është hapur procedura për zgjedhjen e kompanisë që do të hartojë dokumentacionin dhe studimet për projektin. Afati për dorëzimin e ofertave është 8 tetori. Sipas synimit, infrastruktura e re do të shërbejë si korridor rrugor mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
“Synojmë të ndërtojmë një rrugë të shpejtë nga Radovishi, nëpër Strumicë e deri në Novo Sellë, pranë kufirit me Bullgarinë, duke krijuar një tjetër lidhje me Republikën e Bullgarisë përmes autostradës ose rrugës së shpejtë”, deklaroi Nikolloski.
Hartimi i dokumentacionit dhe studimeve pritet të zgjasë gjashtë deri në nëntë muaj. Pas përfundimit të tyre, do të përzgjidhet kompania që do të kryejë punimet. Projekti do të financohet nga fondet vetanake të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, ndërsa ministri pret që punimet në terren të nisin deri në vjeshtë, nëse procedurat ecin sipas planit.
“Do të përdorim mjetet vetanake të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore. Ndërmarrja ka gjendje të mirë financiare dhe të hyra të mira, prandaj do të mund ta realizojmë projektin. Nuk dua ta paraqes si premtim, por nëse gjithçka shkon mirë dhe përzgjedhja kryhet siç duhet, fillimisht për kompaninë konsulente e më pas për atë ndërtuese, pres që deri në vjeshtë të nisin punimet në terren”, tha Nikolloski.
Ministri sqaroi se rruga e parashikuar do të vazhdojë përtej Strumicës dhe do të arrijë deri te kufiri me Bullgarinë. /tv21
