Rreth 4.900 nxënës më pak se vitin e kaluar pritet të regjistrohen në klasën e parë në muajin shtator. Shifrën e bëri publike ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila sqaroi se të dhënat ende nuk janë përfundimtare.
Të lidhura
None found
Janevska tha se ulja e numrit të nxënësve po vërehet si në arsimin fillor, ashtu edhe në atë të mesëm. Sipas saj, në shkollat e mesme këtë vit është regjistruar një rënie, por jo në përmasa drastike, ndërsa në arsimin fillor tkurrja është shumë më e ndjeshme.
“Numri i studentëve po zvogëlohet, duke pasur parasysh se kemi gjithnjë e më pak nxënës edhe në shkollat fillore dhe të mesme. Këtë vit numri i nxënësve në shkollat e mesme është ulur, por jo në mënyrë drastike. Këto shifra nuk janë përfundimtare, sepse kemi edhe afatin e tretë të regjistrimit në gusht, por numri në shkollat fillore është ulur ndjeshëm dhe jemi në një përqindje me mbi 4.000 fëmijë më pak se vitin e kaluar”, deklaroi ministrja.
Ajo shtoi se procesi i regjistrimit nuk ka përfunduar ende, ndaj numri përfundimtar mund të ndryshojë.
“Më vjen keq që duhet ta them, por ky është fakt, këtë e ka publikuar edhe Enti i Statistikave. Bëhet fjalë për rreth 4.900 nxënës të klasës së parë më pak nga viti i kaluar deri këtë vit. Sado që të regjistrohen, edhe nëse regjistrohen edhe dy mijë të tjerë, do të kemi së paku 3.000 nxënës të klasës së parë më pak. Këtë trend e presim edhe vitin e ardhshëm, gjë që është dëshpëruese për këtë vend”, u shpreh Janevska.
