“Qytet i Sigurt” do t’u çojë gjoba edhe automjeteve me targa të huaja, njofton MPB

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, bëri të ditur se sistemi “Qytet i Sigurt” së afërmi do të mundësojë dërgimin e gjobave edhe ndaj drejtuesve të automjeteve që kanë targa të huaja, transmeton INA.

Ai e dha këtë njoftim në pikën kufitare Tabanoc, gjatë promovimit të fushatës “Drejtoni të pushuar”, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq.

Të lidhura

None found

Gjatë prononcimit, Toshkovski u bëri apel shoferëve të huaj dhe mërgimtarëve që kalojnë transit nëpër Maqedoninë e Veriut, sidomos në Korridoret VIII dhe X, që t’u përmbahen rregullave të komunikacionit.

“Sistemi ‘Qytet i Sigurt’ funksionon dhe do të zbatohet për të gjithë, pavarësisht nëse automjeti ka targa të Maqedonisë së Veriut apo të një shteti tjetër. Së shpejti do të përfundojë edhe faza e dytë e zbatimit, e cila parashikon dërgimin e gjobave për drejtuesit e automjeteve me targa të huaja. Nëse në shekullin XXI nuk gjejmë një mënyrë për t’i dorëzuar këto gjoba, atëherë kemi problem me vetveten”, deklaroi Toshkovski.

Ministri sqaroi se dërgimi i gjobave përtej kufijve është një procedurë e ndërlikuar, por nënvizoi se Ministria e Punëve të Brendshme tashmë ka përgatitur një zgjidhje, e cila pritet të hyjë në funksion shumë shpejt.

Në pesë muaj janë regjistruar mbi 120 mijë shkelje

“Qytet i Sigurt” është vënë zyrtarisht në funksion më 1 shkurt të këtij viti dhe, përmes një sistemi kamerash inteligjente, evidenton automatikisht shkeljet e rregullave të komunikacionit në rrugët e vendit.

Sipas shifrave që prezantoi ministri, deri më 22 qershor janë evidentuar mbi 120 mijë shkelje të rregullave të komunikacionit. Ministria e Punëve të Brendshme vlerëson se ky numër tregon si përmasat e problemit, ashtu edhe kapacitetin e sistemit për të forcuar kontrollin dhe sigurinë në trafik.

Autoritetet presin që zbatimi i fazës së dytë të sistemit të rrisë përgjegjësinë e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion dhe të ndikojë në uljen e numrit të shkeljeve, pavarësisht nëse bëhet fjalë për shoferë vendas apo të huaj./INA/


Shtuar 2.07.2026 14:27