Dejan Jovanov Deko, pronari i diskotekës “Pulse” në Koçan, ku zjarri tragjik shkaktoi vdekjen e 63 personave, pritet të dalë nga paraburgimi brenda më pak se një muaji.
Të lidhura
None found
Lajmi është konfirmuar për televizionin “Telma” nga Gjykata Penale në Shkup. Sipas gjykatës, masa e fundit e paraburgimit ndaj Jovanovit është caktuar deri më 3 tetor. Pas kësaj date, ai do të mbrohet në liri, pasi ligji lejon që një person të mbahet në paraburgim për maksimumi një vit nga momenti i vlerësimit të aktakuzës.
“Ju njoftojmë se masa e paraburgimit, e përcaktuar kundër të akuzuarit të parë Dejan Jovanov, nga këshilli penal është zgjatur deri më 03.10.2026, duke pasur parasysh se aktakuza është vlerësuar më 03.10.2025 dhe sipas dispozitave ligjore masa e paraburgimit mund të zgjasë deri në maksimum një vit nga vlerësimi i aktit. Me qëllim të sigurimit të pranisë së papenguar në pjesën e mëtejshme të procedurës gjyqësore, Gjykata, sipas praktikës së deritanishme, pas skadimit të afatit ligjor për masën e paraburgimit, përcakton masa shtesë për kujdes dhe sigurimin e të akuzuarit”, deklaruan për “Telma” nga Gjykata Themelore Penale – Shkup.
Jovanov u vu në pranga menjëherë pas zjarrit të 16 marsit në diskotekë, ndërsa më 23 mars ndaj tij u vendos masa e paraburgimit. Procesi gjyqësor ndaj tij dhe 33 të akuzuarve të tjerë nisi në nëntor dhe vijon ende. Parashikimet janë që bëhet fjalë për një nga gjyqet më të gjata dhe më të ndërlikuara.
Mes të pandehurve është edhe vëllai i tij, Todor Jovanov. Atij iu hoq masa e arrestit shtëpiak pasi ofroi garanci në pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 320 mijë euro.
Në listën e të akuzuarve ndodhet edhe djali i Jovanovit, ndaj të cilit janë vendosur vetëm masa kujdesi. Dejan Jovanov ka kërkuar disa herë zëvendësimin e paraburgimit, duke iu referuar përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, por kërkesat nuk janë pranuar nga gjykata.
Këto kërkesa kanë shkaktuar reagime të forta nga prindërit e viktimave. Ata kanë shprehur shqetësimin se rasti po minimizohet dhe se jeta e njerëzve po lihet pas dore. Paraburgimi i Jovanovit ishte vendosur për shkak të rrezikut të arratisjes, ndërsa pas lirimit, brenda më pak se një muaji, ai nuk do të ketë as garanci aktive që pengon largimin e tij.
Gjatë muajve të fundit, gjykata ka pranuar garancitë e ofruara nga katër të akuzuar që ndodheshin në arrest shtëpiak dhe ka vendosur lirimin e tyre. Mes tyre janë Jane Jançevski, Mitko Stojanov, Martin Gjorgjiev, Stojanço Dimitriev dhe Bekim Haxhiu.
Gjykata sqaron se ndaj tyre janë në fuqi masa alternative dhe se ata paraqiten rregullisht në seancat gjyqësore.
