Në disa zona të prekura të Shkupit është shpallur epidemi që nga dje, bëri të ditur Zlatko Arsienievski nga Qendra e Shëndetit Publik Shkup. Masa përfshin komunat Kisella Voda, Gazi Babë, Aerodrom, Butel dhe Ilinden, si edhe vendbanimet Draçevë, Përzhinë, Lisiçe e Poshtme, Kadino dhe Jurumleri.
Të lidhura
None found
Ministria e Shëndetësisë sqaroi se ethet e Nilit Perëndimor nuk janë një sëmundje e re, pasi raste të saj janë regjistruar edhe në vitet e mëparshme.
Andovski theksoi se publiku po njoftohet me kohë dhe në mënyrë transparente për gjendjen. Sipas tij, këtë vit është bërë i domosdoshëm një reagim më i fuqishëm institucional për shkak të situatës aktuale epidemiologjike, numrit të rasteve të konfirmuara dhe aktivitetit të virusit.
Ai tha se zhvillimet po monitorohen në bashkërendim me Institutin e Shëndetit Publik, Qendrat e Shëndetit Publik, Komisionin për Sëmundje Infektive dhe Klinikën e Sëmundjeve Infektive. Synimi është që rastet të zbulohen dhe të marrin trajtim në kohë, ndërsa njëkohësisht të parandalohet paraqitja e rasteve të reja.
Sipas Andovskit, nuk ka arsye për panik, por qytetarët duhet të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi. Ai u bëri thirrje të zbatojnë masa mbrojtëse personale, të përdorin veshje të përshtatshme dhe të mos frekuentojnë vende ku rreziku i ekspozimit ndaj mushkonjave është më i lartë.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se do të vijojë ta informojë opinionin publik në kohë dhe me transparencë për çdo ndryshim të rëndësishëm në situatën që lidhet me këtë sëmundje.
