Një rritje e vogël e pagave është evidentuar gjatë korrikut, kur paga mesatare neto arriti në 48.499 denarë. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, kjo shifër është 118 denarë, ose një euro e 91 cent, më e lartë se në qershor, kur paga mesatare ishte 48.381 denarë.
Të lidhura
None found
Krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, paga mesatare neto është rritur me 7,1 për qind.
Sektori financiar dhe i sigurimeve kryeson për rritjen vjetore të pagave, me 10,7 për qind. Pas tij renditen furnizimi me ujë, menaxhimi i mbetjeve dhe rehabilitimi i mjedisit, me një rritje prej 10,4 për qind, si dhe aktivitetet e pasurive të patundshme, me 9,6 për qind.
Edhe në krahasim me qershorin janë regjistruar rritje të pagave neto në disa fusha. Në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike rritja ishte 4,3 për qind, në tregti 3,2 për qind, ndërsa në ndërtimtari 2,3 për qind.
Ndërkaq, paga mesatare bruto në korrik ishte 72.935 denarë, me një rritje vjetore prej 7,1 për qind. Shtimi më i madh u shënua në sektorin financiar dhe të sigurimeve, me 10,8 për qind, në furnizimin me ujë, menaxhimin e mbetjeve dhe rehabilitimin e mjedisit, me 10,5 për qind, si dhe në veprimtaritë që lidhen me pasuritë e patundshme, me 9,8 për qind.
