Ndërprerja e aktivitetit të sallave të operacionit dhe të lindjes në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit, pas ndotjes së ujit, ka sjellë një fluks të shtuar pacientësh në Spitalin Klinik të Tetovës.
Të lidhura
None found
Prej mesit të korrikut, më shumë se 200 pacientë nga Gostivari janë paraqitur në spitalin e Tetovës për trajtim mjekësor dhe ndërhyrje kirurgjikale. Në ditët e para, numri më i madh i rasteve u vu re në repartin e akusherisë.
Pacientët e parë mbërritën më 19 korrik, ndërsa kërkesat kryesore u përqendruan në gjinekologji, veçanërisht për lindje përmes operacionit cezarian.
Eldiar Zylbehari deklaroi se reparti gjinekologjik po përballet me një frekuentim më të lartë të pacienteve të referuara nga Spitali i Përgjithshëm i Gostivarit. Sipas tij, deri tani në Tetovë kanë lindur 12 paciente të njoftuara paraprakisht nga reparti obstetrik i Gostivarit, ndërsa trajtimi dhe kushtet e ofruara janë të njëjta me ato për pacientët e tjerë.
Rritja e numrit të rasteve nuk është kufizuar vetëm te gjinekologjia. Në repartin e Urologjisë janë kryer 10 ndërhyrje operative dhe janë realizuar mbi 50 kontrolle, ndërsa ngarkesë e shtuar është regjistruar edhe në Ortopedi.
Florim Deari tha se situata në Gostivar ka ndikuar në shtimin e pacientëve që kërkojnë ndërhyrje dhe kontrolle në Urologji, si dhe në repartin kirurgjikal në përgjithësi. Ai bëri të ditur se në Urologji janë kryer rreth 10 ndërhyrje për prostatën dhe heqjen e gurëve, ndërsa numri i pacientëve për kontrolle urologjike ka kaluar 50.
Sipas Dearit, në kirurgjinë abdominale digjestive janë operuar 9 pacientë nga Gostivari dhe janë kryer 45 kontrolle. Në kirurgjinë abdominale janë realizuar 3 operacione dhe 37 kontrolle. Ndërkohë, në Ortopedi janë regjistruar 60 kontrolle dhe dy operacione ortopedike.
Drejtuesit e Spitalit të Tetovës thonë se, pavarësisht fluksit në rritje, institucioni ka kapacitete të mjaftueshme për të trajtuar të gjitha rastet. Sallat e operacionit në Gostivar do të vijojnë të jenë të mbyllura me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, deri në publikimin e rezultateve zyrtare që dëshmojnë se uji i pijshëm është plotësisht i sigurt./TV21/
