Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, bëri të ditur se të premten dhe të shtunën do të ketë takime me partnerët e koalicionit nga VLEN dhe ZNAM, në kuadër të konsultimeve për rikonstruimin e paralajmëruar të Qeverisë.
Në përgjigje të interesimit të gazetarëve, Mickoski u shpreh se raportet mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it mbeten të qëndrueshme dhe korrekte.
Të lidhura
None found
“Të premten dhe të shtunën janë caktuar takimet me partnerët e koalicionit nga VLEN dhe ZNAM. Tani nuk jemi para zgjedhjeve, por në gjysmën e dytë të mandatit. Kemi bashkëpunim jashtëzakonisht korrekt dhe miqësor me VLEN-in dhe pres që ai të vazhdojë edhe më tej”, deklaroi kryeministri.
Ai kujtoi se pas vendosjes së bashkëpunimit pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, koalicioni regjistroi rezultate të rëndësishme edhe në zgjedhjet lokale, ku VLEN doli fitues bindës në 10 komuna.
“Nuk shoh asnjë pengesë që bashkëpunimi ynë të mos vazhdojë edhe në të ardhmen”, shtoi Mickoski.
