Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi në një konferencë për shtyp në qeveri se Iva Mihailova dhe babai i saj, Simeon, do të mbahen përgjegjës në të ardhmen, pasi u larguan nga Maqedonia. Sipas tij, Ministria e Brendshme po heton mënyrën se si Mihailova u transferua në Bullgari.
Të lidhura
None found
Mickoski e hodhi poshtë si të pavërtetë pretendimin e Mihailovës, të raportuar nga mediat bullgare që e pritën pas largimit, se ajo kishte kaluar në një pikë të rregullt kufitare.
“Nuk është aspak e vërtetë ajo që raportuan mediat bullgare dhe u thanë publikut, se ajo dhe avokati i saj kaluan nga një pikë e zakonshme kufitare dhe u përshëndetën. Kjo është gënjeshtër. Sipas të dhënave tona të fundit, të konfirmuara edhe nga pala bullgare, avokati hyri më 28 shtator, ndaj pretendimi i tij nuk qëndron. Edhe pse ky person ka një të kaluar të dyshimtë, dua që publiku t’i dijë këto fakte. Konfirmoj se ajo u transferua ilegalisht në Bullgari. Ministria e Brendshme po heton dhe do të zbulojmë se si ndodhi”, u shpreh Mickoski.
Kryeministri foli edhe për Simeon Mihailovën, i dënuar me 12.5 vjet burg në çështjen “Detonator” për tentativën e vrasjes së truprojës së Sasho Mijalkov. Ai tha se edhe babai do të përgjigjet para autoriteteve.
“Si prindi, që duhet të japë llogari para autoriteteve maqedonase, ashtu edhe Iva, e cila duhet të dëshmojë pafajësinë e saj, do të mbahen përgjegjës në një moment të caktuar. Nëse dikush mendon se kështu ka krijuar një lloj mbrojtjeje, duke u përpjekur të dëmtojë marrëdhëniet fqinjësore mes dy vendeve, më vjen keq. Udhëheqja politike në Bullgari po përpiqet të shfaqë forcë politike në këtë mënyrë dhe nuk e kupton dëmin që po i shkakton vetes në arenën ndërkombëtare. Kjo është politika që kanë zgjedhur”, tha Mickoski./Telegrafi/





