Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ishte i ftuar në emisionin PodGo, ku foli për jetën e tij pas largimit nga politika dhe angazhimet që ka ndërmarrë gjatë kësaj periudhe.
Gjatë bisedës u trajtuan edhe protestat në Shqipëri, si dhe zhvillimet që mund ta presin Maqedoninë e Veriut në vitet e ardhshme. Lloga deklaroi se pas tërheqjes nga politika po bën një jetë më të qetë dhe se aktualisht nuk e konsideron rikthimin në politikë.
Të lidhura
None found
“Ka kaluar një vit nga tërheqja ime partiake. Vijoj të jem aktiv politikisht për të sinjalizuar dukuritë jo normale në shoqëri, ndërsa shqetësimet e mia jam përpjekur t’i shpreh përmes platformave sociale. Jam pjesë e shkollës së doktoraturës në Fakultetin Juridik dhe kam marrë pjesë edhe në një projekt jashtë Maqedonisë, që lidhet me fushën e drejtësisë”, tha Lloga, duke folur për angazhimet e tij pas largimit nga politika.
I pyetur për protestat në Shqipëri, ish-ministri u shpreh se gjatë ditëve të para policia nuk arriti ta administronte situatën në mënyrë profesionale.
“Është shqetësuese që dhuna po përshkallëzohet në rrugë, duke prekur institucionet shtetërore dhe bizneset private. Në ditët e para, organet e sigurisë nuk e menaxhuan siç duhet situatën dhe policia pati një qasje amatore. Shqipëria ka një historik shtetformues me ngjarje të ndryshme, ndërsa situata të tilla ndodhin në shumicën e shteteve përparimtare. Nëse ky intensitet protestash vazhdon, duhet të arrihet një marrëveshje, por uroj që kjo të ndodhë sa më shpejt”, deklaroi Lloga. Ai shtoi se, nëse pushteti tregohet arrogant pavarësisht mandatit që ka, mund të përballet me një revoltë gjithëpopullore.
Duke folur për BDI-në, Lloga tha se kjo parti nuk është mësuar të veprojë në opozitë dhe se ende nuk e ka përmbyllur procesin e reformimit.
“BDI-ja e nisi më herët një proces reformimi, kur emëroi ministrat e rinj, por nuk arriti ta përfundojë. Në kongresin e fundit ndërmori një reformim më të gjerë, megjithatë ndryshimi nuk nënkupton vetëm përfshirjen e moshave të reja. BDI-ja duhet të reflektojë dhe të rikthehet më fuqishëm në terren. Ajo duhet të ndërtojë një front më të gjerë, jo vetëm mbi baza etnike, por të flasë edhe për ekonominë, shëndetësinë dhe çështje të tjera. Nuk janë mësuar me opozitën dhe nuk dinë ta bëjnë opozitën”, u shpreh ai.
Sa i përket VLEN-it, Lloga vlerësoi se ky subjekt kryesisht ka funksionuar si një mekanizëm plotësues përballë ndërkombëtarëve, për të dëshmuar se në Qeveri ka edhe përfaqësues shqiptarë.
“Gjatë këtyre viteve kanë konsumuar veten pa u shfaqur sa duhet. Në pjesën më të madhe të kohës presin të dëgjojnë se çfarë thotë i pari i qeverisë dhe vetëm më pas dalin në publik. Nuk hartojnë politika ditore, por thjesht konsumohen. Për këto dy vite kanë shërbyer më shumë si mekanizëm plotësues përballë ndërkombëtarëve, për të treguar se edhe kjo qeveri ka shqiptarë. Megjithatë, kjo mund t’u kthehet në gur në kokë, nëse kjo politikë zgjedh një faktor të tretë shqiptar për në Qeveri”, tha ndër të tjera Lloga./Telegrafi/







