Nga: Kim Mehmeti
Të lidhura
None found
Një gjë që duhej thënë që në krye është kjo: bëni kujdes me flamurin tonë kombëtar!
Flamuri përfaqëson nderin dhe simbolin e një kombi, ndaj nuk duhet kthyer në qefin me të cilin mbulohet kufoma e cilitdo shqiptar.
Ai nuk është thjesht një pëlhurë që mund t’i hidhet sipër çdo të vdekuri dhe as nuk duhet shfrytëzuar për t’ia fshehur fytyrën hajdutit, spiunit, narko-dilerit apo kujtdo që tregton interesin kombëtar.
A e keni dalluar sa shumë zë ngrenë, me sa përkushtim dhe entuziazëm reagojnë “dijetarët” kur bëhet fjalë për ndonjë gabim të një hoxhe fshati?
Por të njëjtët nuk dëgjohen kur duhet folur për ata që e shitën Shqipërinë, për shqiptarët që u kthyen në pronarë të drogës dhe për mediat ku ish-UDB’ashë të llojit të “shehollëve” e “nafiçegranëve” paraqiten si debatues të respektuar dhe atdhetarë.
Ata heshtin edhe për drogën që shitet deri në shkollat tetëvjeçare, për faktin se narko-dilerët janë “bamirësit” tanë më të mëdhenj në ndërtimin e faltoreve dhe shkollave, si dhe për dhjetëra narkomanët që gjenden në çdo lagje shqiptare. Po aq të pagojë mbeten edhe përballë zhdukjes së lumenjve dhe pasurive tona natyrore, të cilat po kthehen në kazane mbeturinash.
Po pse vallë na udhëzojnë me aq zell neve, shqiptarëve myslimanë, për mënyrën se si duhet ta ushtrojmë besimin, ndërsa në debatet televizive nuk thonë asgjë kur udbashët flasin për gjënë më të shenjtë që kemi, UÇK’në, dhe marrin përsipër të përcaktojnë atdhetarinë e patriotizmin shqiptar?
Me sa duket, ata e dinë me hollësi se çfarë pamjeje duhet të ketë një shqiptar mysliman, por nuk arrijnë ta shohin shqiptarin që plaçkit popullin e vet. Sepse, po të sulmonin hajdutin, narko-dilerin, tregtarin e interesave shqiptare ose pronarin e shitur të medias, do ta humbnin grazhdin që ua furnizon “Aleanca e Qelbësirave”.
A e keni vërejtur gjithashtu se goditjet kundër “radikalizmit islam” intensifikohen pikërisht kur u hiqet kapaku disa mediave, atyre gropave septike ku derdhen ujërat e zeza të shoqërisë shqiptare, dhe prej tyre përhapet kutërbimi i parave të pista që vijnë nga Beogradi?
Megjithatë, duhet mbajtur parasysh se sot ka shumë “mendimtarë” që antislamizmin e kanë profesionin e vetëm. Ata paguhen për ta acaruar shumicën e shqiptarëve që i përkasin fesë islame, për ta cenuar vlerën më të bukur që kemi, shumësinë fetare, dhe për t’i shtyrë shqiptarët myslimanë të ndihen më të ulët se të krishterët.
Sa i përket hoxhës së Llacës, e njoh personalisht dhe do të dëshiroja të kishte sa më shumë njerëz si ai, ndërsa sa më pak prej atyre hoxhallarëve që po e arabizojnë botën shqiptare.
