Në një deklaratë të bërë në korridoret e Kuvendit të Bullgarisë, deputeti bullgar Angel Georgiev nga partia “Rilindja”, e njohur për qëndrimet e saj nacionaliste dhe kontraverse ndaj Maqedonisë, komentoi djegien e veturave diplomatike të ambasadës bullgare në Shkup duke thënë se do t’i propozojë presidentit Rumen Radev që t’i drejtohet BE-së me kërkesë për pezullimin e të gjitha fondeve evropiane për Maqedoninë e Veriut.
“Ne propozojmë një zgjidhje me të cilën kryeministri Rumen Radev do t’i kërkonte BE-së që të ndalojë absolutisht të gjitha fondet evropiane që ndahen për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kjo është e vetmja zgjidhje funksionale që do ta detyrojë fqinjin tonë të ndërmarrë reforma reale, sepse shohim se ai nuk ka dëshirë për reforma dhe për t’u anëtarësuar në BE.”
Të lidhura
None found
Ai kritikoi edhe forcat politike në Bullgari, duke përmendur GERB, DPS dhe PP-DB, për të cilat tha se mbështetën heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, raportojnë mediat bullgare.
“Jemi dëshmitarë të parullave të zbrazëta të disa fajtorëve nga Bullgaria – GERB, DPS dhe PP-DB, të cilët mbështetën heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut”, theksoi ai.
Sipas Georgievit, kjo situatë është e papranueshme, ndërsa përgjegjësinë për zhvillimin e politikës së jashtme ua atribuoi kryeministrit atje dhe Këshillit të Ministrave.
“Ne shohim se për vite me radhë, kjo politikë e jashtme dhe veprime të buta nuk çuan në asgjë pozitive, dhe situata po përkeqësohet. Rezulton se të gjithë taksapaguesit evropianë përfundojnë duke shpenzuar para për Maqedoninë e Veriut”, shtoi Georgiev.
Ai vlerësoi po ashtu se mosreagimi i BE-së po e nxit fushatën antibullgare./Telegrafi/
