Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, e ka cilësuar hapjen e investimit të ri të kompanisë ndërkombëtare Cavo Otomotiv në Zonën Zhvillimore Teknologjike-Industriale Tetovë si një tregues të fortë të besimit që investitorët e huaj kanë ndaj ekonomisë së Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimeve zyrtare, projekti arrin vlerën e 21 milionë eurove dhe pritet të sjellë afërsisht 550 vende të reja pune, me ndikim të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të rajonit të Pollogut dhe të gjithë vendit.
Të lidhura
None found
“Ky investim është rezultat i politikave që synojnë krijimin e një klime të qëndrueshme dhe konkurruese për biznes. Çdo investim i ri nënkupton më shumë vende pune, më shumë mundësi për qytetarët dhe zhvillim më të madh ekonomik”, deklaroi ministri Durmishi.
Ai vuri në dukje se peshë të veçantë ka fakti që ky investim po realizohet në ZZHTI Tetovë, e vetmja zonë zhvillimore teknologjike-industriale që operon sipas modelit të partneritetit publiko-privat dhe që është në kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës.
Durmishi theksoi gjithashtu se Ministria do të vazhdojë të jetë e angazhuar për tërheqjen e investimeve të reja, avancimin e klimës afariste dhe sigurimin e kushteve për rritje të qëndrueshme ekonomike.
“Qëllimi ynë është i qartë – më shumë investime, më shumë vende pune dhe standard më i mirë jetese për qytetarët. Investime të tilla konfirmojnë se vendi ynë po pozicionohet si një destinacion serioz dhe i besueshëm për investitorët ndërkombëtarë”, tha ministri Durmishi.
Projekti i Cavo Otomotiv pritet të ndikojë edhe në rritjen e prodhimit industrial, të eksporteve dhe në transferimin e teknologjive moderne në industrinë automobilistike në vend.

