Ministria e Financave njofton se ka bërë përparim të dukshëm në zbatimin e Agjendës reformuese 2024–2027, duke e vendosur theksin te transparenca, llogaridhënia dhe menaxhimi më cilësor i financave publike. Sipas ministrisë, këto reforma kanë rëndësi kyçe për forcimin e kapaciteteve shtetërore në mënyrë që vendi të sigurojë, të përthithë dhe të menaxhojë me efikasitet mjetet e Bashkimit Evropian.
Të lidhura
None found
Nga MF bëjnë të ditur se Ministria e Financave ka realizuar tetë hapa, nga gjithsej 22 hapa që i ka përmbushur vendi, çka ka çuar në miratimin e 142.1 milionë eurove në kuadër të Agjendës reformuese.
Këto qëndrime u theksuan nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në një takim pune me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, i cili iu kushtua zbatimit të Agjendës reformuese dhe prioriteteve të vendit në procesin e integrimit evropian. Ajo vlerësoi se Instrumenti i reformave dhe rritjes paraqet një shtysë vendimtare për ndryshimet që do të forcojnë institucionet publike, do të avancojnë menaxhimin, do të nxisin rritjen ekonomike dhe do ta përshpejtojnë rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ministrja nënvizoi gjithashtu se mbështetja e Komisionit Evropian ndaj përpjekjeve reformuese të vendit, përmes takimeve të rregullta monitoruese dhe ofrimit të asistencës teknike, ndihmon në avancimin e fushave kryesore të politikave.
Si pjesë e Agjendës reformuese, Ministria e Financave ka përmbushur hapin që ka të bëjë me forcimin e kontrollit të brendshëm financiar publik. Sipas saj, me miratimin e Ligjit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik është siguruar harmonizim i plotë me standardet ndërkombëtare dhe me parimet e BE-së.
Po ashtu, mbi 80% e shfrytëzuesve buxhetorë në nivel qendror dhe 75% në nivel lokal dorëzojnë raporte për revizionet e brendshme të realizuara. Ndërkohë, më shumë se 70% e shfrytëzuesve buxhetorë primarë në nivel qendror kanë përgatitur dokument për menaxhimin e risqeve, duke përfshirë edhe riskun e korrupsionit, ndërsa risqet e identifikuara i regjistrojnë në planet për zbutjen e tyre.
Në njoftim theksohet edhe avancimi i sistemit të prokurimeve publike. Konkretisht, përdorimi i ankandeve për prokurime gjatë vitit fiskal 2025 është reduktuar në maksimum prej 40% të prokurimeve, duke e përmbushur objektivin e parashikuar për shfrytëzimin e e-ankandeve. Për më tepër, pjesëmarrja e tyre mbetet nën pragun maksimal të caktuar në Agjendën reformuese, duke ndikuar në rritjen e transparencës, konkurrencës dhe efikasitetit.
Progres është shënuar edhe në zbatimin e Ligjit të Buxheteve, si dhe në thellimin e reformave në menaxhimin e investimeve publike. Pas miratimit të Rregullores së menaxhimit të investimeve publike, Ministria e Financave ka hartuar dhe publikuar udhëzime për përgatitjen e studimeve të fizibilitetit dhe Manualin për procesin e menaxhimit të investimeve publike. Po ashtu, janë zhvilluar trajnime për të punësuarit në sektorin publik për zbatimin e tyre. Lista përfundimtare prioritare e projekteve të investimeve publike u miratua nga ky komitet në muajin maj të vitit 2026, ndërsa hapi i ardhshëm mbetet miratimi i saj nga Qeveria.
Ministria bën të ditur gjithashtu se është zhvilluar një zgjidhje e përkohshme e TI-së, e cila është plotësuar me të dhëna nga konceptet e aprovuara të projekteve dhe raportet e monitorimit. Në këtë mënyrë është krijuar një bazë e centralizuar e të dhënave që përfshin si projektet në zbatim, ashtu edhe projektet e reja në nivel nacional, duke mbështetur përzgjedhjen e projekteve kandidate buxhetore dhe monitorimin e realizimit financiar të tyre.
Gjatë periudhës së kaluar, në kuadër të Agjendës reformuese, janë miratuar të gjitha 17 aktet nënligjore të parashikuara me Ligjin e Buxheteve.

