Dëmtohen dy automjete zyrtare në Tetovë, policia nis hetimet për identifikimin e autorit

Dy vetura zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, në përdorim të Inspektoratit Shtetëror të Tregut në Tetovë, janë dëmtuar nga një person ende i paidentifikuar.

Rasti është raportuar më 31 tetor, në orën 23:35, nga një 45-vjeçar nga fshati Xhepçisht, i cili punon në objektin e Inspektoratit të Tregut në rrugën “Boris Kidriç”, njofton SPB Tetovë.

Të lidhura

None found

Sipas deklarimit të tij, rreth orës 22:40 ai ka parë një të panjohur duke u ngjitur mbi dy automjetet e markës “Peugeot”, të pajisura me targa të Shkupit.

Gjatë incidentit, njëra veturë ka pësuar thyerjen e xhamit të pasmë, ndërsa në tjetrën është dëmtuar fshirësja e xhamit të pasmë. Pas kësaj, personi është larguar nga vendi.

Autoritetet kanë kryer ekspertizën në terren dhe po vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe gjetjen e përgjegjësit.


Shtuar më 1.11.2026 13:26