Arrihet marrëveshja për ngrohjen qendrore në Shkup

Ndërmarrja shtetërore Elektranat e Maqedonisë së Veriut – EMV dhe kompania ADORA, kanë arritur marrëveshje për dhënien me qira të ngrohtoreve Lindje dhe Perëndim, të cilat janë pronë e ADORA-s.

Ato do të përdoren nga EMV-ja në procesin e sigurimit të ngrohjes për Shkupin. Me këtë konsiderohet se është zgjidhur problemi i ngrohjes. Siç informuan pasditen e sotme nga ndërmarrja shtetërore, marrëveshja e qirasë zgjatë deri në kohëzgjatjen e sezonit aktual të ngrohjes, pra deri në fund të prillit të vitit të ardhshëm.

Ngrohtoret përdoreshin më parë nga Balkan Energy Group, por kjo kompani mbeti pa licenca pasi nuk kishte para për të blerë gaz. Për shkak të mëngjesit të ftohtë të sotëm, me radiatorë të ngrohtë janë zgjuar vetëm shfrytëzuesit e ngrohtores Shkup-Veri, e cila nuk është pjesë e Balkan Energy. Bëhet fjalë për 500 familje dhe kompani të vogla. Sezoni i ngrohjes duhet të nisë zyrtarisht të shtunën e ardhshme, më 15 tetor./Alsat.mk

Shtuar 4.10.2022 20:47