Gjendja e zjarreve në hapësira të hapura është përkeqësuar ndjeshëm gjatë ditës së sotme. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov, bëri të ditur se këtë pasdite janë regjistruar të paktën 21 vatra zjarri, shumica e të cilave vazhdojnë të jenë aktive.
Të lidhura
None found
Si një nga rastet më të vështira për ndërhyrje, Angellov përmendi zjarrin në territorin e komunës së Makedonski Brodit, në lokalitetin Vidush, pranë fshatit Dragovë. Ai sqaroi se flakët nuk kanë përfshirë pyll cilësor, por një sipërfaqe shkëmbore me shkurre, gjemba dhe bar të thatë, në një terren ku lëvizja është jashtëzakonisht e vështirë.
Angellov njoftoi se nesër në mëngjes në këtë zonë do të dërgohet një modul i DMSH-së, i përbërë nga zjarrfikës vullnetarë të trajnuar posaçërisht për shuarjen e zjarreve pyjore.
Vatra të rënda janë shfaqur edhe në territorin e komunës së Studeniçanit, mbi fshatin Moranë. Atje vazhdojnë të operojnë dhe ndodhen ende në terren tre “er-traktorë”, ndërsa në ndërhyrje janë përfshirë edhe zjarrfikësit e Shkupit, të mbështetur nga katër ekipe të DMSH-së me pizgauerë.
Një tjetër zjarr aktiv është evidentuar mbi fshatin Strahojadicë, në komunën e Zelenikovës, zonë ku para disa vitesh kishte shpërthyer një zjarr i madh. Ndërkohë, mbi fshatin Manastirsko Dollnenci, në komunën e Kërçovës, po përhapet një zjarr i madh që rrezikon manastirin lokal. Angellov shprehu besimin se zjarrfikësit vendas do të mund ta ndalojnë avancimin e flakëve drejt manastirit, ndërsa paralajmëroi informacione shtesë për nesër në mëngjes.
Sipas tij, shumë e rëndë paraqitet situata edhe në Rajonin e Pollogut, prej nga janë marrë informacione për disa zjarre që dyshohet se janë ndezur qëllimisht.
Në komunën e Jegunocës, në zonën e fshatit Kopanicë, flakët kanë përfshirë pyje dhe bimësi të ulët. Në territorin e komunës së Tetovës, pranë fshatit Xhepçishtë, digjet bimësi e ulët, ashtu si edhe në zonën e fshatit Përshevcë të komunës së Tearcës. Një vatër e katërt ndodhet në fshatin Çiflik të komunës së Zhelinës, ku zjarri ka përfshirë bimësi të ulët dhe pyje të përziera.
Angellov raportoi për zjarre aktive edhe pranë fshatit Topollçan, në komunën e Prilepit, ku po digjet bimësi e ulët dhe e lartë. Vatra të tjera ka në afërsi të fshatit Makovë në komunën e Novacit, pranë fshatit Vërsakovë në territorin e komunës së Shtipit dhe afër fshatit Dragosh në komunën e Manastirit.
Duke theksuar se vazhdojnë të jenë aktive edhe zjarre të tjera, drejtori i DMSH-së u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal. Ai tha se temperaturat e larta dhe niveli i ulët i lagështisë së ajrit krijojnë të gjitha kushtet për shpërthimin e zjarreve.
Angellov deklaroi se, krahas qytetarëve të pakujdesshëm, gjatë ditës janë evidentuar edhe persona keqdashës. Sipas tij, kjo tregon se disa qytetarë me qëllime të këqija janë përgjegjës për shkaktimin e një numri më të madh zjarresh.
