Gjendja e zjarreve në vend vijon të jetë shqetësuese. Sipas drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, vetëm gjatë ditës së djeshme ekipet zjarrfikëse dhe shërbimet e tjera përgjegjëse u përballën me mbi 41 zjarre.
Të lidhura
None found
Reshjet e dobëta të shiut në disa zona ndihmuan në lehtësimin e situatës, por ndikimi i tyre në punën e ekipeve ishte vetëm i pjesshëm.
Një prej vatrave që kërkoi angazhim të madh ishte zjarri në territorin e Shtipit, mes fshatrave Selcë dhe Puhcë. Ai kishte nisur disa ditë më parë, por pasditen e djeshme doli jashtë kontrollit dhe u përhap me shpejtësi nën ndikimin e erërave të forta.
Forca shtesë u dërguan menjëherë në terren, ndërsa zjarrfikësit, pas përpjekjeve intensive, arritën ta frenojnë zjarrin gjatë mbrëmjes. Puna në vijën e zjarrit vazhdoi pa ndërprerje edhe gjatë gjithë natës.
Angelov bëri të ditur se mëngjesin e sotëm zjarri ishte nën kontroll të plotë, megjithëse në disa pika vijuan të shfaqeshin vatra të nxehta. Zjarrfikësit e Shtipit, të mbështetur nga ekipet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, po punojnë për shuarjen e tyre.
Ekipet do të qëndrojnë në terren gjatë gjithë ditës, pasi rritja e temperaturave dhe forcimi i erës gjatë pasdites mund të krijojnë sërish vështirësi.
Ndërkohë, gjatë natës një zjarr i madh ka kaluar nga territori i Kosovës në Maqedoni dhe po avancon në drejtim të fshatit Graçani.
Fronti i zjarrit shtrihet në një gjatësi prej më shumë se pesë kilometrash. Në zonë ndodhen zjarrfikësit e Shkupit, të përforcuar nga ekipet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilët po përpiqen të vendosin një kontroll të pjesshëm dhe të mbrojnë fshatrat përreth.
Megjithëse për momentin nuk vlerësohet të ketë rrezik të drejtpërdrejtë për zonat e banuara, Angelov deklaroi se aroma e zjarrit ndihet edhe në disa pjesë të Shkupit.
Vatra të reja janë raportuar edhe në malin Kitka, në anën e Shkupit, por brenda territorit të Komunës së Studeniçanit. Zjarre janë aktive pranë fshatrave Koliçan dhe Cvetovë, ku po ndërhyjnë ekipet zjarrfikëse të Shkupit. Pritet që disa prej tyre të vihen nën kontroll së shpejti, ndërsa në një prej zonave terreni i vështirë dhe i paarritshëm mund ta zgjasë operacionin.
Një tjetër situatë e rëndë paraqitet në kufirin mes Komunës së Strugës dhe Komunës së Dibrës, pranë fshatrave Lukovë dhe Burinec. Për shkak të mundësisë që flakët t’u afrohen zonave të banuara, herët këtë mëngjes u angazhua një helikopter ushtarak me kovë të madhe, i cili gjatë mëngjesit kreu ndërhyrje në terren./Telegrafi/
