Shërbimi i rojeve të Parkut Kombëtar „Pelister“, në koordinim me SPB Manastir, ka ndërmarrë gjatë natës një operacion disaorësh për të gjetur disa persona të armatosur që dyshohet se kishin hyrë thellë në territorin e parkut.
Të lidhura
None found
Operacioni nisi më 12 gusht, pas orës 19:00, pasi rojet morën informacione nga disa burime në terren për praninë e personave që mbanin armë zjarri. Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se ata kishin hyrë në zonën e mbrojtur për të ushtruar gjueti të paligjshme.
Në aksion u angazhuan dy patrulla të Parkut Kombëtar „Pelister“, të drejtuara nga drejtori Ivanço Toshevski, ndërsa në operacion morën pjesë edhe zyrtarë policorë të SPB Manastir.
Gjatë kërkimeve, ekipet u përballën me terren malor të vështirë për t’u përshkuar, në lartësi mbi 2.000 metra mbi nivelin e detit.
Patrullat vepruan të ndara nga njëra-tjetra dhe iu afruan zonës ku ishin parë personat e armatosur nga dy drejtime: njëra përmes fshatit Velushinë dhe tjetra nga Infocentri i Parkut Kombëtar.
