Përfaqësuesi studentor Mevlan Ademi ka bërë të ditur se në Shkup mund të zhvillohen protesta të reja, për shkak se kërkesat për zhvillimin e të gjitha provimeve në gjuhën shqipe ende nuk janë përmbushur.
Të lidhura
None found
Ademi thekson se provimi i Jurisprudencës do të vazhdojë të zhvillohet në gjuhën maqedonase.
Sipas tij, qëndrimet e shprehura më herët nga zv/Kryeministrat Fetai dhe Sali janë lënë pas, ndërsa pozicioni i Kryeministrit, i paraqitur në shkurt lidhur me Komisionin e Venecias, mbetet i pandryshuar.
Ai vlerëson se propozimi aktual nuk garanton zhvillimin 100% të provimit në shqip dhe nuk përcakton një afat për zbatimin e tij. Gjithashtu, sipas Ademit, në këtë proces janë anashkaluar Kushtetuta dhe ligjet në fuqi, ndërsa për provimet e tjera nuk janë ndërmarrë ende hapa konkretë.
Megjithatë, Ademi e konsideron pozitive ndryshimin e qasjes, duke kujtuar se nga qëndrimi i Filkovit se provimi mund të zhvillohej vetëm në maqedonisht, u kalua te propozimi 50/50 i Mickoskit dhe tashmë në një variant prej 84% në gjuhën shqipe. Ai shton se drejtimi është i duhur, por rruga mbetet e vështirë.
Për një zgjidhje përfundimtare, ai kërkon bashkëpunimin dhe angazhimin e përbashkët të të gjithë përfaqësuesve shqiptarë. “Ne studentët nuk kemi kohë për të humbur me lojëra politike dhe ndoshta do të organizohemi sërish për t’u kthyer në rrugë”, shkruan Ademi./Telegrafi/







