Ngjyra e syve nuk është domosdoshmërisht tipari që tërheq më shumë vëmendjen. Sipas një studimi të ri, mënyra se si perceptohet një fytyrë mund të ndikohet nga një element shumë më pak i dukshëm: sasia e të bardhës së syrit që shihet rreth bebëzës.
Të lidhura
None found
Një person mund të na mbetet në kujtesë që në shikimin e parë, pa qenë në gjendje të përcaktojmë arsyen. Krahas formës dhe ngjyrës së syve, vetullave dhe qerpikëve, edhe bardhësia e dukshme rreth bebëzës duket se luan rol në përshtypjen që krijohet.
Gjetjet tregojnë se fytyrat ku ekspozohet një sipërfaqe më e madhe e së bardhës së syrit vlerësohen si më tërheqëse. Kjo veçori mund t’i bëjë sytë të perceptohen si më të mëdhenj, më të hapur dhe më shprehës.
Hulumtimi, i realizuar nga studiues të Universitetit të Quebec-ut, u botua në revistën PLOS One. Për studimin u modifikuan fotografitë e 50 fytyrave të burrave dhe grave, duke u ndryshuar fare lehtë sasia e bardhësisë së dukshme, por pa krijuar pamje artificiale të syve.
Fotografitë u vlerësuan më pas nga 162 pjesëmarrës, të cilët duhej t’i rendisnin ato sipas tërheqjes.
Në variantet ku dukej më pak bardhësi, ajo zinte rreth 31.5 për qind të sipërfaqes së syrit. Në versionet ku ekspozohej më shumë, kjo përqindje arrinte në rreth 43.8 për qind.
Mesatarisht, vlerësimet më të larta për tërheqjen iu dhanë fytyrave me më shumë të bardhë të dukshme në sy. Pjesëmarrësit i konsideruan këto fytyra edhe si më sociale dhe më të besueshme, transmeton Telegrafi.
Studiuesit kanë paraqitur disa shpjegime të mundshme për këtë rezultat. Sipas njërit prej tyre, ekspozimi më i madh i së bardhës krijon përshtypjen e syve më të mëdhenj dhe më të hapur, duke e bërë fytyrën të duket më e freskët dhe më e re.
Një sipërfaqe më e madhe e bardhësisë së dukshme mund të ndihmojë gjithashtu në dallimin më të lehtë të drejtimit të shikimit. Ky aspekt ka rëndësi në komunikim, sepse përmes syve kuptojmë se ku është drejtuar vëmendja e një personi dhe si mund të ndihet ai.
Autorët e studimit theksuan se njerëzit janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj syve të personave të tjerë.
Sasia e bardhësisë së dukshme nuk mbetet e njëjtë gjatë gjithë jetës. Studimi tregon se ajo është më e theksuar mes moshës 20 dhe 25 vjeç, ndërsa pas kësaj periudhe mund të fillojë të zvogëlohet gradualisht.
Në këtë ndryshim mund të ndikojnë proceset natyrore që, me kalimin e moshës, prekin lëkurën dhe muskujt rreth syve. Për këtë arsye, studiuesit vlerësojnë se bardhësia më e dukshme mund të jetë një nga veçoritë që, në mënyrë të pavetëdijshme, lidhet me rininë dhe një pamje të shëndetshme.
Kjo, megjithatë, nuk nënkupton se sytë me më pak të bardhë të ekspozuar janë më pak të bukur. Tërheqja përcaktohet nga shumë elemente dhe perceptimi i saj ndryshon nga një individ te tjetri.
Studimi dëshmon se edhe veçori që thuajse nuk i vëmë re mund të formësojnë përshtypjen e parë dhe mënyrën se si e perceptojmë shikimin e dikujt.
