Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, zyrtarisht ka dorëzuar në Parlament mocionin për heqjen nga detyra të prokurores së Përgjithshme, Iryna Venediktova, dhe kreut të shërbimit të sigurisë, dy ditë pasi njoftoi se do t’i shkarkojë ata nga detyra për shkak të dhjetëra rasteve të dyshuara të bashkëpunimit të punonjësve të këtyre institucioneve me Rusinë.
Në ueb-faqen e Këshillit Suprem të Ukrainës u bë i ditur ky hap formal. Shkarkimi i prokurores së Përgjithshme dhe kreut të shërbimit të sigurisë, vë në qendër të vëmendjes betejën e Kievit kundër bashkëpunëtorëve që gjenden brenda shërbimeve të sigurisë dhe agjentëve rusë, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Më 17 korrik, Zelensky tha se Venediktova dhe Ivan Bakanov, kreu i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), janë larguar nga postet e tyre.
Venediktova ka deklaruar se nuk do të komentojë për arsyen e pezullimit të saj, por do të lëshojë më vonë një deklaratë për të sqaruar situatën.
Duke njoftuar për vendimin e shkarkimit të dy zyrtarëve të lartë, Zelensky tha se janë hapur 651 raste të dyshuara për tradhti dhe bashkëpunim nga prokurorët dhe zyrtarët e zbatimit të ligjit, dhe mbi 60 persona në institucionet që udhëhiqeshin nga Bakanov dhe Venediktova, tani po punonin kundër Kievit në territoret e pushtuara nga Rusia në Ukrainë.
Në një vendim tjetër, Byroja shtetërore e Hetimeve të Ukrainës (DBR) njoftoi më 19 korrik se ish-shefi i drejtorisë së SBU-së për Krimenë, Oleh Kulinich, është dërguar në paraburgim, nën akuzat për tradhti të lartë. Ai do të qëndrojë në paraburgim deri të paktën më 13 shtator.
Kulinich kishte udhëhequr drejtorinë e SBU-së në Krimenë e aneksuar nga Rusia nga tetori i vitit 2020 deri në mars të këtij viti. Ai u arrestua më 16 korrik nën dyshime për bashkëpunim me shërbimet sekrete ruse. Nëse gjendet fajtor për akuzat për tradhti, ai mund të dënohet deri me 15 vjet burgim./rel