Volodymyr Zelensky ka refuzuar në mënyrë ironike sfidën e Vladimir Putinit për të udhëtuar në Moskë për zhvillimin e bisedimeve.
Të lidhura
None found
Ndërsa presidenti rus vijon të mos pranojë një takim të drejtpërdrejtë me homologun ukrainas, ai e ka ftuar Zelenskyn të shkojë në kryeqytetin e Rusisë. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ku po zhvilloheshin punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, disa gazetarë rusë pro-qeverisë iu drejtuan presidentit ukrainas teksa kalonte pranë tyre.
“Volodymyr Oleksandrovich, kur do të shkojmë në Moskë?”, e pyeti një prej gazetarëve. Zelensky reagoi shkurt dhe me ironi: “Atje do të shkoj me një raketë”!
Më vonë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Moska nuk e kishte kuptuar përgjigjen e Zelenskyt si një përjashtim të mundësisë që ai të vizitonte kryeqytetin rus. “Nuk m’u duk se tha që nuk do të vijë. Unë nuk kam dëgjuar asgjë të tillë”, tha Peskov. Ai shtoi se “Zelensky po bën shumë deklarata në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme”.
Takimi i fundit personal mes Zelenskyt dhe Putinit u zhvillua në Paris në dhjetor të vitit 2019, gjatë bisedimeve të Formatit të Normandisë, të ndërmjetësuara nga Franca dhe Gjermania. Pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022, dy liderët nuk kanë zhvilluar më negociata të drejtpërdrejta.
Më 16 maj 2025, Zelensky e ftoi Putinin në Stamboll për bisedime dhe propozoi që takimi të ishte trepalësh, me pjesëmarrjen edhe të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në kuadër të përpjekjeve për paqe. Putin nuk mori pjesë dhe në vend të tij dërgoi një delegacion të drejtuar nga këshilltari presidencial Vladimir Medinsky.
Pas takimit me Putinin në Alaskë në gusht 2025, Trump tha se po përpiqej të ndërmjetësonte një takim mes presidentëve të Rusisë dhe Ukrainës. Megjithatë, ai shtoi se Putin po e shmangte takimin me Zelenskyn pasi “nuk e pëlqen atë”.
