Vrau prindërit e ish-dashurit dhe copëtoi trupat e tyre, kur do të mbahet gjyqi për Elona Kaleshin

Gjykata e Firences do të gjykojë më 15-shkurt 2022, 37-vjeçaren shqiptare, Elona Kaleshi, e akuzuar për vrasjen e Shpëtim dhe Teuta Pasho, prindërit e ish-të dashurit të saj Taulant Pasho.

Ndaj saj janë ngritur akuza për “vrasje të dyfishtë”, “fshehje dhe përçmim të kufomave”.

Kujtojmë se çifti i bashkëshortëve Shpëtim dhe Teuta Pasho u zhdukën në tetor 2015 dhe trupat e tyre, të copëtuar, u gjetën në dhjetor 2020 në valixhe të braktisura.

Mediat italiane bëjnë me dije se zhdukja e bashkëshortëve Pasho, të cilët mbërritën në Itali për të takuar djalin e tyre Taulantin , i cili do të dilte nga burgu i Firences mëngjesin e 2 nëntorit 2015, u denoncua nga vajza e çiftit, Vitore, tek karabinierët e Castelfiorentino, Firence.

Sipas hetuesve, vrasja e dyfishtë ka ndodhur ndoshta mbrëmjen para daljes së Taulantit nga burgu, në banesën në Firence, në via Fontana, të cilën Elona e kishte marrë me qira për prindërit e të dashurit të saj.

Dyshohet se 37-vjeçarja ta ketë ndërmarrë aktin e rëndë, pasi nuk donte që të kishte rrjedhje informacioni nga prindërit e djalit, për një abortim nga ana e saj të një fëmije që e kishte me dikë tjetër gjatë kohës që Taulanti ishte në burg./albeu.com/