Vrasja e trefishtë në Itali, mes viktimave edhe mikesha e Melonit: Nuk është e drejtë të vdesësh kështu

Ditën e djeshme një tragjedi ka ndodhur brenda një lokali në Romë. Tre gra, përfshirë një mikeshë të kryeministres të Italisë, u vranë kur një burrë hapi zjarr në një kafene në Romë, duke plagosur katër persona të tjerë. Ata që ishin brenda po mblidheshin si pjesë e komitetit të banorëve të një blloku lokal.

Sabina Sperandio, Elisabetta Silenzi dhe Nicoletta Golisano janë tre viktimat të cilat u qëlluan për vdekje nga Claudio Campiti, tashmë i arrestuar.

Kryeministrja Giorgia Meloni e cilësoi një nga gratë e vrarë si mikeshën e saj Nicoletta Golisano. Emrat e grave të tjera të vdekura janë Elisabetta Silenzi dhe Sabina Sperandio. Në një postim në Facebook, ku i dërgoi ngushëllimet familjes së zonjës Golisano, Meloni tha se do ta kujtonte gjithmonë shoqen e saj “të bukur dhe të lumtur”.

“Nicoletta ishte një nënë mbrojtëse, një shoqe e sinqertë dhe e matur, një grua e fortë dhe e brishtë në të njëjtën kohë. Por mbi të gjitha ajo ishte një profesioniste me një ndjenjë detyre jashtë të zakonshmes… Nikoletta ishte shoqja ime. Nuk është e drejtë të vdesësh kështu”, shkroi Meloni.

Ndërkohë autori po gjykohet ndërsa policia ende nuk ka komentuar motivin e kësaj ngjarje.

Kujtojmë se vrasësi mori armën mëngjesin e së dielës në poligonin e qitjes Tor di Quinto në Romë, pa e kthyer. Ai mbërriti në vendin ku po zhvillohej takimi, e më pas qëlloi të paktën 4-5 herë me armë kundër bordit drejtues të Konsorciumit.