Vrasja e Pëllumb Metës në Shënvlash të Durrësit/ Zbardhet dinamika e ngjarjes së rëndë

Prokuroria e Durrësit, ka zbardhur dinamikën e vrasjes së Pëllumb Metës nga djali dhe vajza e tij, Hysen e Hygerta Meta, krim i ndodhur në Shënvlash të Durrësit, mesditën e 10 Shkurtit 2024.

Sipas organit të akuzës më 10 Shkurt 2024, viktima Pëllumb Meta, mësohet se ka lënë punën dhe është kthyer në banesë në orët e para të mëngjesit.

Ndërsa rreth mesditës, teksa i ndjeri ka qenë në kuzhinën e banesës, djali i tij Hysen Meta, në prani edhe të të pandehurës Hygerta, ka marrë pistoletën duke qëlluar në drejtim të babait të tij katër herë.

Një prej plumbave nuk ka prekur trupin e viktimës, ndërkohë që tre prej tyre, një në kokë dhe dy në trup kanë rezultuar fatal, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Të dy të pandehurit më pas kanë kryer veprime, jo vetëm për të zhdukur gjurmët e vrasjes nëpërmjet stukimit të vrimës në mur, spostimit të divanit në të cilin ka qenë i shtrirë viktima, kanë vazhduar nme mbështjelljen e trupit, groposjen e trupit të viktimës në kasollen e bagëtive e cila ndodhej disa metra larg banesës dhe më pas kanë vijuar me largimin automjetit nga banesa, zhdukjen e sendeve personale të viktimës si dhe zhdukjen e armës së krimit, informon Prokuroria.

Pas kryerjes së krimit, janë siguruar se të gjitha gjurmët që janë fshehur nga Hysen Meta.

Ai ka bërë kallëzim në polici duke paraqitur zhdukjen e babait si largim nga banesa me vullnetin e tij.

Gjatë gjykimit Hygerta Meta, është e vetmja nga të pandehurit që ka dhënë pëlqimin për t’u pyetur ku ka deklaruar se babain e ka vrarë vëllai i saj Hysen Meta në prani të saj.

Ndërkohë në mometin e kryerjes së vrasjes, djali i vogël i familjes, Amarildo Meta ka qenë në punë.

AKUZAT

Hygerta dhe Hysen Meta, akuzohen nga Prokuroria se për kryerjen e veprës penale ‘Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare’ e kryer në bashkëpunim.

Prokuroria e Durrësit, kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për Hysen Metën dhe 30 vite burg pas hekurave për motrën e tij.

Sipas organit të akuzës, dy të pandehurit kanë thurur planin për vrasjen e babait të tyre me qetësi, duke përgatitur vendin ku do realizonin krimin dhe siguruar armën e zjarrit.

“Të pandehurit pasi kanë menduar dhe thurur me qetësi planin e tyre për të vrarë babain, janë përgatitur duke marrë masat për vendin ku do të realizonin vrasjen, për mjetin me të cilin do ta kryenin duke siguruar një armë zjarri, plan ky i realizuar në datë 10.02.2024”, informoi Prokuroria.

Për Amarildo Metën, djalin e vogël të viktimës, Prokuroria ka kërkuar dënimin me 5 vite burg, ndërsa për nënën e tyre, Blerina Meta dënimin me 3 vite qëndrim pas hekurave.

Në seancën gjyqësore të datës 16.09.2025, prokurorja ka kërkuar:

1.Deklarimin fajtor të të pandehurit H. M., për kryerjen e veprës penale “Vrasja pёr shkak tё marёdhёnieve familjare”, e kryer në bashkëpunim e parashikuar nga neni 79/c e 25 i K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me burgim të përjetshëm.

2.Deklarimin fajtor të të pandehurit H. M., për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armёve, armёve shpёrthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/4 i K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me tre vjet burgim.

3.Deklarimin fajtor të të pandehurit H. M. për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjesimi i kufomёs”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 303 e 25 tё K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 5 vjet burgim.

4.Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, bashkimin e dënimeve të mësipërme në një dënim të vetëm, ate më burgim të përjetshëm.

5.Deklarimin fajtore të të pandehurës H.M., për kryerjen e veprës penale “Vrasja pёr shkak tё marёdhёnieve familjare”, e kryer në bashkëpunim e parashikuar nga neni 79/c e 25 i K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 25 vjet burgim.

6.Deklarimin fajtore të të pandehurës H. M. për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjesimi i kufomёs”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 303 e 25 tё K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 5 vjet burgim.

7.Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, bashkimin e dënimeve të mësipërme në një dënim të vetëm, ate me tridhjetë vjet burgim.

8.Deklarimin fajtor të të pandehurit A. M. për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjesimi i kufomёs”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 303 e 25 tё K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 5 vjet burgim.

9.Deklarimin fajtore të të pandehurës Bl. M. për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, tё parashikuar nga neni 301 I K.Penal dhe dënimi e saj në bazë të kësaj dispozite me tre vjet burgim.


Shtuar 18.09.2025 15:47