Këtë të hënë, protesta e studentëve kundër qeverisë hyn në ditën e 21-të, ndërsa kryeministri Edi Rama, ka përsëritur ftesën për dialog, duke vendosur sërish fletushka me mbishkrimin “Dialog” mbi tryezën e gurit të vendosur përpara Kryeministrisë.
Studentët vijojnë të refuzojnë uljen në tryezën e bisedimeve me kryeministrin, duke këmbëngulur se nuk do të ketë dialog pa plotësimin e kërkesave të tyre politike, përfshirë largimin e Ramës dhe qeverisë.
Të lidhura
None found
Edhe në ditët e mëparshme, kreu i qeverisë ka përdorur të njëjtën simbolikë për të kërkuar nisjen e bisedimeve me protestuesit.
Fillimisht u vendosën karrige përpara Kryeministrisë, të cilat u refuzuan nga studentët dhe pedagogët, ndërsa më pas Rama kaloi te vendosja e gurëve dhe e tryezës së gurtë.
Por as ndryshimi i simbolikës nuk ka sjellë deri tani një përgjigje pozitive nga studentët. Protestuesit kanë vijuar të përsërisin thirrjen “Dorëheqje!”, duke e bërë të qartë se nuk pranojnë dialogun dhe kërkojnë largimin e kryeministrit.






