Veseli shënon një super gol, rikthen ekipin e tij në garë për Serie A (VIDEO)

Frederik Veseli është bërë protagonist në ndeshjet e sotme të Serisë B të jo vetëm me një lojë të mirë mbrojtëse, por edhe me një supergol që ka shënuar në ndeshjen ndaj Virtus Entelës. Salernitana ka fituar me shifrat 3-0 dhe tashmë i është afruar përsëri vendit të dytë që të çon direkt në Serinë A.

Ishte pikërisht futbollisti shqiptar ai që hapi serinë e golave në minutën e 15 të sfidës kur pas një aksioni në krahun e majtë të mbrojtjes, lëshoi një gjuajtje të pakapshme për portierin kundërshtar, duke kaluar para skuadrën e tij. Ky ishte një gol i shkëlqyer që ka bërë jehonë edhe në rrjetet sociale duke i sjellë vlerësime Veselit, i cili në ndeshjet e fundit me skuadrën e tij ka spikatur pozitivisht duke u kthyer në një titullar të padiskutueshëm.

Goli i mbrojtësit shqiptar i hapi rrugë suksesit të Salernitanës, e cila është tashmë e treta në renditje, vetëm 1 pikë pas Leçes të vendit të dytë. Kjo e fundit u mund sot në shtëpi me shifrat 2-1 nga SPAL i Etrit Berishës, duke pasur në stol Kastriot Dermakun i cili nuk ka rifituar ende vendin mes titullarëve edhe pse ka lënë pas dëmtimin që e shoqëronte në muajt e kaluar.


Shtuar 10.04.2021 21:00