Veliaj duhet t’u heqë licencën se rrezikojnë jetën e qytetarëve, por kompanitë e urbanëve marrin guximin dhe duan sërish para nga taksat e kryeqytetasve

Pronarët e kompanive që kanë autobusët urban në Tiranë duket se kanë zgjedhur një model interesant biznesi duke ua ngarkuar qytetarëve humbjet e tyre edhe pse çdokush që fut këmbët në mjet duhet të paguajë 40 lekë për çdo hipje/ zbritje.

Në mënyrë të përsëritur, pronarët e këtyre kompanive kërkojnë subvencione nga Bashkia e Tiranës apo qeveria, pra nga taksat e qytetarëve duke synuar mbulimin e humbjeve të tyre jo duke përmirësuar shërbimin dhe rritjen e numrit të udhëtarëve (lexo biletat e shitura), por duke marrë para të thata në dorë nga taksat që paguajnë kryeqytetasit.

Lexo edhe: Babëzia e transportit urban, duan sërish para nga taksat e kryeqytetasve, por shërbimin e kanë përtokë

Kërkesa më e fundit ka ardhur këto ditë, sërish ndaj Bashkisë së Tiranës ku pronarët e kompanive të autobusëve urbanë thonë se janë futur në kolaps se japkan disa abone falas për studentët, ndërkohë që të gjithë janë dëshmitarë se sa sfiduese është gjetja e një aboneje të tillë në Tiranë.

Kërkesa të ngjashme janë bërë shpesh gjatë dy viteve të fundit nga këto kompani, të cilat nga ana tjetër nuk është se kanë ndërmend të rrisin cilësinë e shërbimit apo sigurinë e qytetarëve. Përkundrazi, muajt e fundit kanë ndodhur një mori incidentesh që konfirmojnë se hipja nëpër autobusët urbanë të Tiranës është kthyer në një aventurë me risk të lartë.

Pak ditë më parë, policia kapi një shofer të dehur në një autobus urban në Laprakë, ndërsa nuk janë shuar ende shenjat e aksidentit të frikshëm të autobusit të Unazës, në pronësi të kompanisë CFO Pharma, i cili mori para disa makina përballë zonës së quajtur “Tajvani” në Tiranë, ndërsa la edhe disa të plagosur.

Aksidenti ishte i frikshëm, ndërsa deri më tani nuk dihet nëse mbajti dikush përgjegjësi apo jo.

Një aksident i ngjashëm ndodhi në prill të vitit të shkuar, ku sërish një autobus i CFO Pharma hodhi qytetarët në Lanë.

Aksidente me autobusët janë një rregull në transportin urban të Tiranës, por për fat të mirë deri më tani nuk ka patur viktima, ndërsa është e udhës që kryebashkiaku Veliaj të mos lejojë ultimatum të tilla nga pronarët e autobusëve, por t’u japë një ultimatum për përmirësimin e shërbimit dhe sigurisë dhe t’u heqë licencën kur bëhet fjalë për aksidente si ai të “Tajvani” apo tjetri në Lanë. /albeu.com

 

 


Shtuar 24.03.2023 14:06