Vdekja e Joy-it, misteri i shoferit me lidhje në qeveri, merren në pyetje punonjësit e kazinosë te “Air Albania”

Vijon të jetë ende mister dhunimi deri në vdekje e 22-vjeçares keniane Joy gushtin e vitit të shkuar në Tiranë. Joy iku nga kjo botë pak javë më parë pas disa muajsh në spital.

Ajo punonte në një kazino pranë Stadiumit Air Albania në Tiranë, ndërsa për policinë është ende mister roli i shoferit të kësaj kazinoje, Rodi Barçi në gjithë këtë histori.

Mësohet se Barçi, i afërm i një personi pranë partisë në pushtet, është marrë në pyetje nga policia gjatë ditës së sotme.

Gjatë dëshmisë së tij Barçi ka deklaruar se ka qenë i lidhur me 22-vjeçaren nga Kenia, por në momentin kur ka ndodhur ngjarja, pra gushtin e vitit 2022, ata kanë qenë të ndarë dhe nuk kanë pasur lidhje me njëri-tjetrin dhe se s’ka pasur dijeni.

Nëna e së resë nga Kenia, Ruth Abongo, tha në një intervistë për mediat se 4 ditë para ngjarjes së rëndë ajo kishte udhëtuar me 32-vjeçarin Rodi Barçi, në Durrës. Sipas nënës së vajzës, shoferi i kishte qëndruar shumë pranë, sjellje e cila s’i kishte pëlqyer të resë.

Nga ana tjetër Prokuroria e Tiranës ka dërguar letërporosi prokurorisë së Kenias dhe i ka kërkuar që t’i vërë në dispozicion autopsinë që i është bërë 22-vjeçares në morgun e spitalit ku ajo ndërroi jetë. Kjo kërkesë vjen në kuadër të hetimeve të prokurorisë së Tiranës për vdekjen e Joy Ayoko. 22-vjeçarja u largua nga Shqipëria më 25 janar të këtij viti, drejt vendlindjes për t’u mjekuar në spitalin Kenyatta, në Kenia. Joy u largua nga spitali i Traumës në “half coma”, pra gjysmë koma, e pavetëdijshme dhe ndërroi jetë në Kenia.

Mësohet se deri më tani janë marrë në pyetje edhe punonjës të kazinosë në fjalë si edhe shoqja e Joy-it, Emily, për të cilën e ëma hedh po ashtu dyshime se ka dijeni për dhunimin e së bijës. /albeu.com


Shtuar 25.02.2023 11:32