Universiteti Western Balkans ofron 10 bursa për studentët ukrainas

Universiteti Western Balkans ka akorduar 10 bursa të plota studimi për kandidatët ose studentët që do të vijnë nga Ukraina. Këto bursa vlejnë për të gjitha vitet e studimit për të gjithë aplikantët që duan të studiojnë në programet bachelor apo ato të integruara.

Universiteti Western Balkans e ka bërë të ditur njoftimin pikërisht sot në ditën kur Presidenti i Ukrainës do të vizitojë për herë të parë Shqipërinë në kuadër të Samitit që po zhvillohet.

Bursat ofrohen për studentët që kanë përfunduar shkollën e mesme me rezultate të larta ose kanë fituar çmime në olimpiada kombëtare ose ndërkombëtare, konkurse, etj. dhe regjistrohen në një nga programet bachelor ose të integruar në vitin akademik 2024-2025.

10 bursat e studimit që do të jepen për kandidatët apo studentët ukrainas, mbështeten nga Grupi i Spitaleve Amerikaneve dhe Spitalit Hygeia, kompani këto që ofrojnë edhe praktika për studentët që zgjedhin të studiojnë në WBU.

Universiteti Western Balkans është një universitet i cili ofron programe studimi në fushat e mjekësisë, ekonomisë, teknologjisë dhe inovacionit.


Shtuar 27.02.2024 15:45