Me shapka dhe pantallona të shkurtra AMP arrestoi dje shefin e antidrogës në Policinë e Durrësit, pas hetimeve të SPAK se ishte pjesë e një skeme shantazhi dhe gjobëvënieje të një pronari të një klubi nate te Ura e Dajlanit.
Por kjo nuk është hera e parë që Gazmir Preçi, do të përballet me drejtësinë për akuzat se ka shfytëzuar pozitën e tij drejtuese.
Në 2021 Gazmir Preçi i cili atëherë mbante postin e shefit të Krimieve në Policinë e Mallakastrës u arrestua së bashku me 4 zyrtarë të tjerë të policisë së Fierit në kuadër të një hetimi për lejimin e kultivimit të kanabisit në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës. Preçi u vu në hetim për ‘shpërdorim detyre’ për lejimin e kultivimit të kabanisit.
Sipas dosjes në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës, u evidentuan disa parcela të kultivuara me bimë narkotike. Në dosjen që u referua atëherë punonjësit e policisë ishin në hetim për shpërdorim detyre gjatë periudhës qershor – shtator 2021 duke lejuar, apo favorizuar veprimtarinë kriminale të disa shtetasve të arrestuar më parë nga Prokuroria e Rrethit Fier për kultivim të bimëve narkotike. Ndaj tij dhe 2 punonjësve të tjerë të policisë gjykata e Fierit vendosi masën e sigurisë ‘detyrim me paraqitje”
E pikërisht dyshimet dhe problematikat në Mallakastër jo shumë vite më parë, nuk ndikuan që Gazmir Preçi të ngjitej në karrierë, duke ‘u shpërblyer’ me post si shef i antidrogës në Durrës.
E tre vite më pas, 15 gusht 2024, Gazmir Preçi arrestohet sërish pasi nga hetimet e SPAK ishte pjesë e një skeme ku ka shantazhuar pronarin e një klubi nate te Ura e Dajlanit se do t’i mbyllë biznesin dhe i ka kërkuar si ‘gjobë’ 20 mijë euro.
Shefi i ka kërkuar 20 mijë euro pronarit të një lokali në Durrës, me kërcënimin se në të kundërt do i bllokonte biznesin, dhe sipas hetimeve, ka arritur të marrë 10 mijë euro në fazën e parë, shumë e cila është sekuestruar bashkë me 2 celularë, nga të cilët pritet të identifikohen punonjësve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje dhe biznese të tjera që në të kaluarën mund të kenë qenë viktimë e presionit të shefit të antidrogës.
Hetimet u bënë në bashkëpunim në me Agjencinë e Mbikëqyrjes policore fill pas denoncimit të pronarit të lokalit “Night’, një klub nate te Ura e Dajlanit. Sipas denoncimit të tij, shefi i antidrogës e kërcënonte se do i mbyllte biznesin me pretendimin se kishte të punësuar disa persona të pasiguruar, çka nuk është në kompetencën e tij për ta kontrolluar. Shuma prej 10 mijë eurosh u mor në një takim nën vëzhgimin e hetuesve mes pronarit të lokalit dhe Gazmit Preçit në një lagje të Tiranës, i cili ra në grackën e kolegëve sapo mori një pjesë të parave. Kryekomisari akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv”.