U ekzekutuan dhe u hodhën në një gropë, gjenden trupat e kryebashkiakes ukrainase dhe familjes së saj

Kryebashkiakja dhe familja e saj thuhet se janë ekzekutuar nga trupat ruse përpara se të hidheshin në një gropë, sipas një banori lokal për Associated Press, shkruan newsweek.

Olga Sukhenko, kryebashkiakja e qytetit ukrainas të Motyzhyn, i cili ndodhet afër Kievit, dyshohet se u qëllua nga forcat ruse së bashku me burrin dhe djalin e saj pasi kishte refuzuar kërkesat e pushtuesve.

Banori që foli për AP u identifikua si një burrë i quajtur Oleg për arsye sigurie. Oleg tha se trupat ruse synonin zyrtarët lokalë në të gjithë Motyzhyn dhe vranë ata që nuk bashkëpunuan. Pasi kryebashkiakja dhe familja e saj u qëlluan, ata u hodhën në një gropë.

Sukhenko dhe familja e saj ishin rrëmbyer nga forcat ruse më 23 mars. Zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk konfirmoi vrasjen e kryebashkiakut për gazetën të dielën dhe tha se aktualisht janë 11 kryetarë bashkie ose drejtues të tjerë të komunitetit që janë kapur rob nga rusët.

Lajmi për vrasjen e kryebashkiakes vjen pasi forcat ruse janë akuzuar për kryerjen e krimeve brutale të luftës kundër civilëve ukrainas. Zyrtarët ukrainas thanë se trupat e të paktën 410 civilëve u gjetën të shpërndara në të gjithë rajonin e Kievit pas tërheqjes së trupave rusë.