Moska ka rënë dakord me Kievin dhe Ankaranë për një skemë paraprake për daljen e anijeve ukrainase me grurë nga Odessa.
Ushtria turke do të angazhohet në çminimin dhe shoqërimin e anijeve në ujërat neutrale.
Atje, anijet do të takohen me anijet ruse dhe do t’i shoqërojnë ato në Bosfor.
Kjo është bërë e ditur nga gazeta ruse “Izvestia” duke cituar një burim të informuar të rangut të lartë.
Sipas të përditshmes ruse, raportuar nga mediat ukrainase, deri më tani skema është rënë dakord vetëm për Odesën.
Ndërkohë janë shtuar me dhjetëfish bombardimet në Severdonetsk dhe Lysychansk, ndërsa pas gati një muaji janë rikthyer bombardimet edhe në Kiev.
“Numri i bombardimeve në Severdonetsk dhe Lysychansk është rritur dhjetëfish.
Në rajonin e Luhanskut ka shumë qytete me një situatë të krahasueshme me atë të Mariupolit, tani rusët po rrafshojnë Severdonetsk dhe Lysychansk” – tha kreu i administratës rajonale, Sergej Gaidai, sipas Guardian, ndërsa një bombardim rus goditi një fabrikë në pjesën lindore të kryeqytetit ukrainas.
Ndërkaq Zelensky vizitoi frontin në Zaporizhzhia, ku 60% e rajonit është në duart e rusëve, si edhe takoi trupat në vijën e parë të dielën në Lysychansk dhe në Soledar.